Kombëtarja e Zvicrës në hokej për femra e ka nisur me humbje Kampionatin Botëror, pasi në ndeshjen e parë, në Esbjerg të Danimarkës, u mposht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rezultat të thellë 0:7.
Për një të tretën e ndeshjes, zviceranet arritën t'u bënin ballë kampioneve olimpike, edhe falë katër minutave të lojës me një lojtare më shumë. Megjithatë, më pas favoritja kryesore e turneut e rriti ndjeshëm ritmin dhe dëshmoi epërsinë e saj.
Amerikanet shpërthyen në periodën e dytë, duke e shndërruar epërsinë minimale 1:0 në 3:0.
Në periodën e fundit, zviceraneve u mungoi forca e nevojshme për të vazhduar rezistencën, ndërsa SHBA-ja shënoi edhe katër gola të tjerë, duke vulosur fitoren 7:0.
Zvicra ende nuk e ka mposhtur
Kombëtarja amerikane vazhdon të mbetet një kundërshtare e pakapërcyeshme për Zvicrën. Në 19 përballje mes tyre në Kampionate Botërore dhe Lojëra Olimpike, amerikanet kanë regjistruar 19 fitore, me një diferencë golash prej 147:7.
Epërsia e SHBA-së u dëshmua edhe në statistikat e gjuajtjeve drejt portës, në ndeshjen e së premtes mbrëma në Esbjerg.
Portierja e Zvicrës, Andrea Brändli, e cila ishte shpallur portierja më e mirë në Lojërat Olimpike në Milano, arriti të ndalte 31 nga gjithsej 38 gjuajtjet e amerikanëve.
Në anën tjetër, portierja amerikane Aerin Frankel pati shumë më pak punë, pasi zviceranet regjistruan vetëm tetë gjuajtje drejt portës së saj.
Pas humbjes në ndeshjen hapëse, Zvicra do të përballet me Çekinë në ndeshjen e radhës.
Të dielën, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësja Shannon Miller do të kërkojë rikthimin te rezultatet pozitive.