Mblidhet në Zvicër Kongresi i 45-të i UEFA-s, deklaratë mbi Super Ligën Europiane dhe vendimet e marra

Futboll

Mblidhet në Zvicër Kongresi i 45-të i UEFA-s, deklaratë mbi Super Ligën Europiane dhe vendimet e marra

Më: 20 prill 2021 Në ora: 19:38
Mblidhet në Zvicër Kongresi i 45-të i UEFA-s, deklaratë mbi Super Ligën Europiane dhe vendimet e marra

U mbajt ditën e sotme në Montreux të Zvicrës, Kongresi i 45-të i UEFA-s, ku mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Kongresi dhe 55 federatat anëtare miratuan në mënyrë unanime një deklaratë që dënon fuqishëm të ashtëquajturën SuperLigë dhe që vijon si më poshtë:

“55 federatat anëtare dhe pjesëmarrëse në Kongresin e UEFA-s dënojnë deklaratën e një të ashtëquajturës “Super Ligë”. Kongresi i UEFA-s është i prerë se “Super Liga” e mbyllur bie ndesh me konceptin e asaj që do të thotë Europian: i bashkuar, i hapur, mbështetës dhe parimor mbi vlerat sportive. UEFA dhe federatat anëtare besojnë në një model të vërtetë europian që bazohet në gara të hapura, solidaritet dhe rishpërndarje për të siguruar qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e lojës, për të mirën e të gjithëve dhe promovimin e vlerave europiane dhe rezultateve shoqërore.

Klubet konspirative pa dyshim kanë dështuar të shohin sot që statusi i tyre nuk u arrit në izolim, por përkundrazi, ishte pjesë e një sistemi dinamik europian, ku klubet e mëdha, të mesme dhe të vogla kanë kontribuar të gjitha në sukseset dhe humbjet e të gjithëve. Ky është një ofendim ndaj vlerave europiane dhe meritave sportive që ata të supozojnë se kanë të drejtë “të ndahen”  dhe të pretendojnë për trashëgiminë që të gjithë ndërtuan.

UEFA, vendet e saj anëtare dhe të gjithë ata që e duan futbollin qëndrojnë të vendosur dhe do të rezistojnë fuqimisht dhe do të luftojnë kundër kësaj lëvizjeje të bërë nga pronarët e këtyre klubeve dhe mbështetësit e tyre në masën më të plotë të mundshme. Moralisht, ne e dimë se çfarë është në rrezik dhe ne do ta mbrojmë futbollin nga klanet egoiste që nuk u intereson loja. Ne jemi futbolli europian. Ata jo.”

Gjithashtu, në këtë mbledhje u morën edhe të tjera vendime të tjera.

U zgjodhën tetë anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për katër vitet e ardhshme; Zëvendëspresidenti i ri i katër federatave britanike për 2 vitet e ardhshme;

 Një anëtare femër në Këshillin e FIFA-s për katër vitet e ardhshme; Katër anëtarë të zakonshëm të Këshillit të FIFA-s për katër vitet e ardhshme.  

U zgjodhën edhe përfaqësuesit e rinj të Shoqatës Europiane te Klubeve (ECA) në Komitetin Ekzekutiv te UEFA-s, përfaqësuesi i Ligave Europiane në KE-në e UEFA-s dhe anëtarët e rinj të Organeve të UEFA-s për Administratën e Drejtësisë dhe për Komitetin e Qeverisjes dhe Përputhshmërisë së UEFA-.

Gjithashtu, u miratuan pasqyrat financiare për vitin 2019/20 dhe buxheti financiar për vitin 2021/22 si dhe disa ndryshime ligjore që do të hyjnë menjëherë në fuqi.  Gjithashtu, Kongresi i UEFA-s i dha anëtarësimin e nderit Michael van Praag për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm në futbollin europian dhe në UEFA që nga viti 2000 dhe mandatin e tij si anëtar i KE-së së UEFA-s që nga viti 2009.

Kongresi i Zakonshëm i UEFA-s do të mblidhet në 11 maj të vitit 2022 në Vienë, Austri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat