Me triumfin 0-3 në transfertë ndaj një skuadre si Sevilla, Barcelona lëshon një sinjal të qartë për La Liga-n, Real Madrid dhe jo vetëm.
Të udhëhequr në sulm nga një “stekë e vjetër” si Lewandowski, braziliani Raphinha dhe i rilinduri Dembele, katalanasit duket se janë rikthyer dhe do të tentojnë të triumfojnë në secilin prej kompeticioneve ku marrin pjesë në këtë sezon. Trajneri Xavi Hernandes, pas sfidës me Sevillan e theksoi se të fitosh në Sanchez Pizjuan nuk është diçka që mund ta bëjë kushdo, ndërsa shtoi se fitorja e zbukuron edhe më shumë skuadrën.
“Nuk e nisëm mirë ndeshjen, por sapo u vendosëm siç duhej në fushë, nisëm ta qarkullonim shpejt topin dhe krijuam disa raste në kundërsulm.
Janë të pakta ato skuadra që mund të vijnë në fushën e Sevillas dhe të fitojnë me rezultatin 0-3, shumë pak ekipe do të fitojnë në Sanchez Pizjuan. Por, si përfundim edhe pse kemi disa mekanizma për të përmirësuar, sërish fitorja të bën të ndihesh më i bukur. Ekipi ka shumë potencial, kemi mundësinë të luajmë edhe me variente të ndryshme në varësi të kundërshtarit.
Dembele është një lojtar që më pëlqen shumë, edhe sjellja e tij më pëlqen, sidomos me mentalitetin kur kthehet në mbrojtje. Lewandowski dihet, na ka ndihmuar shumë sepse kur një skuadër shënon gola, atëherë ka qetësinë e duhur në fushë.
Gavi? Mua nuk më surprizon aspak, e shoh të stërvitet çdo ditë dhe e di mirë se çfarë është i aftë të bëj në fushë. Është një mrekulli, ndoshta ishte lojtari më i mirë i ndeshjes”, u shpreh Xavi.