Kosova me përforcime, Bujar Neziri shpreson që do ta përmbysin epërsinë e liderit 

Futboll

Kosova me përforcime, Bujar Neziri shpreson që do ta përmbysin epërsinë e liderit 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 13 janar 2023 Në ora: 16:39
Bujar Neziri

Në diasporë veprojnë shumë klube shqiptare, që garojnë në ligat e ndryshme qoftë në Gjermani, në Zvicër, në Suedi dhe në shtete të ndryshme të Kontinentit të Vjetër e deri në Australinë e largët.

Klubi i futbollit Kosova e Dusseldorfit po përgatitet për pjesë e dytë të kampionatit në Bezierksliga dhe me synime të qarta, që të arrijë vendin e parë dhe të ngriten në Landesliga.

Drejtuesit e klubit nuk kanë qëndruar duarkryq por deri me tani janë përforcuar me mbrojtësit me përvojë, Bujar Idrizin, ish kapitenin e Llapit dhe me Enis Vilën, që ka luajtur në disa klube gjermane.

Image

Kosova

Drejtuesit e Kosovës, e kanë më së të qartë edhe epërsinë që ka lideri i tabelës, VfL Jüchen-Garzweiler, por nuk është epërsi që nuk shkrihet deri në fund të kampionatit.

VfL Jüchen-Garzweiler kryeson me 43 pikë, ka 13 më shumë se Kosova që gjendet në pozitën e tretë por kjo e fundit ka një ndeshje me pak dhe pritet që t’i marrin tre pikë në tavolinë, ku do të ngushtohet diferenca në 10 sosh.

Bujar Neziri, presidenti i klubit, tha se po punojnë me zell të shtuar që në pjesën pranverore, të mos gabojnë askund dhe të fitojnë pikë maksimale në 12 ndeshje sa kanë mbetur deri në fund të kampionatit, duke shpresuar në gabimet e rivalit, VfL Jüchen-Garzweiler dhe të rrëmbejnë kreun e tabelës. 

Image

“Mundësia për mu kualifikuar një ligë më lart është e vështirë, ekipi që është në vend të parë, ikë për 10 pikë. 

Kemi bërë dy përforcime, Bujar Idrizin dhe Enis Vilën, përforcime shumë të mira. 

Shpresoj tash mos të humbim asnjë ndeshje. 

Lideri na ikë dhjetë pikë, është diferencë pak e madhe por shpresojmë se ekipi kundërshtar do të gabojë. Ne jemi përforcuar dhe nëse jo këtë vit, edicionin e ardhshëm të arrijmë që të hyjmë në Landesliga. Jemi përforcuar për Kupën e Gjermanisë që të shkojmë sa më lartë. Tash veç e kemi lojën e parë me 12 shkurt për Kupë të Gjermanisë.

Synojmë të shkojmë sa më lartë për arsye se na ndihmon në buxhetin e klubit”, - thotë Neziri për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Synimet e Kosovës përveç kampionatit, janë që të tregohen të  suksesshëm edhe në garat e Kupës.

Image

“Sivjet synojmë të fitojmë Kupën e Diasporës për Gjermani që mbahet çdo vit. Kemi qenë fitues të Kupës në vitin 2021, ndërsa vjet në finale kemi humbur. Shpresojmë që të fitojmë këtë vit.

Në diskutim është me u mbajtur Kupa, normal sipas marrëveshjes së Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani dhe në Zvicër, pra një vit me luajt në Kosovë, një herë në Zvicër dhe në Gjermani.

Zakonisht e kemi mbajt në Kosovë, kësaj radhe me shpresë të fitojmë edhe këtu dhe varet me kë na bie të përballemi për Kupë. Ky është qëllimi kryesor”, është optimist Neziri.

Image

Lideri ka një epërsi të dukshme por deri në fund janë edhe 36 pikë të mundshme dhe shumë herë përmbysjet ndodhin edhe me diferenca më të mëdha në futboll, si e shihni ju?

“Shpresojmë se ekipi kundërshtar, VfL Jüchen-Garzweiler, të bëjë gabime dhe ne mos të bëjmë asnjë gabim.
Në futboll është gjithçka e mundur, gjasat nuk i kemi humbur, realisht është e mundur.

Mos harroni, se ka pas diferenca edhe më të mëdha dhe janë përmbysur. Por, sa ne e kemi analizuar dhe pa, janë ekip që tre vite që luftojmë për t’u inkuadruar një ligë më lartë. Vitet e fundit kanë kryesuar dhe për pak nuk kanë hyrë në Ligë.

Fati është që vetëm një ekip do të hyjë në ligë. Sipas analizave tona, është e vështirë por derisa kemi mundësi teorike, ne do të provojmë që të kalojmë një ligë më lartë. Lutem që VfL Jüchen-Garzweiler të humbin lojë dhe ne të fitojmë. Në bazë të statistikave dhe analizave, pak është vështirë.

Fatmirësisht jemi përforcuar me dy lojtarë në mbrojtje dhe me përvojë, na vyen gjithsesi një sulmues i mirë, golashënues dhe një mesfushor, një portier me shtuar konkurrencën në ekip”, përfundon Neziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat