Briken Calja i pari në Baterinë B, pret rezultatet e A-së

Futboll

Briken Calja i pari në Baterinë B, pret rezultatet e A-së

Më: 4 prill 2024 Në ora: 11:10
Briken Calja

Në Pukhet të Tajlandës po zhvillohet Kupa e Botës në peshëngritje, eventi i fundit kualifikues për në Lojërat Olimpike Paris 2024 në këtë sport. Shqipëria përfaqësohet në këtë event vetëm me shtangistin Briken Calja, që garoi sot në Baterinë B të peshës 73 kg.

Një paraqitje e mirë e Cales, që e mbylli dygarësishin në vendin e parë dhe për momentin udhëheq renditjen provizore pas garimit të shtangistëve të dy baterive të para (C dhe B), në pritje që të nisë edhe Bateria A. Deri më tani, Calja kryeson renditjen me 333 kg në dygarësh.

Në stilin e shkëputjes, shtangisti kuqezi i realizoi me sukses të tri provat, duke mos gabuar asnjëherë.

Ai ngre fillimisht 145 kg e më pas realizon me sukses edhe 150 e 152kg.

Në këtë stil, Calja renditet për momentin në vendin e katërt. Në stilin e shtytjes, Calja realizon vetëm provën e parë, ku ngre 181kg.

Më pas, ai dështon dy herë të ngrejë 185kg. Gjithsesi, Calja e mbyll këtë stil i pari, ku udhëheq përkohësisht renditjen. Jo vetëm kaq, por Calja udhëheq përkohësisht renditjen edhe në dygarësh me 333kg, shkëputur ndjeshëm nga rivalët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat