Legjenda e futbollit Ardian Kozniku dhe trajneri i trajnerëve në Kosovë, Ajet Shosholli, u takuan tek liqeni i bukur në Mitrovicë.
Biseduan gjer e gjatë për futbollin në tërësi tërë vite.
Në edicionin 1986/87, Ajet Shosholli ishte në krye të Vëllaznimit nga Gjakova.
Një trajner që mbi supet e tij kishte një gjeneratë të përzier, me lojtarë me përvojë dhe talente të rinj.
Një emër i ri po shpërthente te Vëllaznimi, Ardian Kozniku, i cili mori besimin e plotë të trajnerit Shosholli.
Në prillin (5 prill, e diel) e vitit 1987, para rreth 8 mijë shikuesve në Mitrovicë, u zhvillua derbi i madh mes rivalëve të vjetër Trepçës dhe Vëllaznimit, në kuadër të Ligës së Dytë të ish-Jugosllavisë, grupi i Lindjes.
Shosholli e inkuadroi Koznikun në pjesën e dytë dhe ai realizoi golin për fitoren e madhe 0:2, ndërsa golin tjetër e shënoi Avni Juniku. Trepçën e drejtonte Jakup Abrashi, por skuadra mitrovicase u befasua nga loja e gjakovarëve.
Shosholli arriti edhe një sukses tjetër me Vëllaznimin, duke e renditur skuadrën në vendin e tetë me 33 pikë, ndërsa në atë edicion (1987) fitoi edhe Kupën e Kosovës.
Në sezonin 1987/88, Shosholli u kthye te Prishtina si ndihmës i Josip Duvançiqit.
Pak kohë më vonë, edhe Kozniku iu bashkua Prishtinës në edicionin 1988/89 dhe gradualisht u bë një nga emrat kryesorë të klubit, sidomos në sezonin 1989/90, së bashku me Besnik Kollarin, Arbër Hasanxhekajn, Sunaj Keçin, Fehmi Hysenin, Avni Stubllën etj.
Pas largimit të Hysni Maxhunit në verën e vitit 1990, Shosholli mori drejtimin e Prishtinës, por kësaj radhe pa lojtarin më të mirë, Ardian Koznikun. Drejtuesit e Hajdukut të Splitit erdhën në Prishtinë dhe arritën marrëveshje për transferimin e tij. Prishtina përfitoi 300 mijë marka gjermane dhe klubi kroat mbuloi edhe shpenzimet e përgatitjeve në Igman, rreth 20 mijë marka.
Kozniku udhëtoi me aeroplan privat drejt Splitit dhe përjetoi një moment dramatik, kur aeroplani u detyrua të ulej në një livadh pranë Kralevës në Serbi, pasi mbeti pa kerozinë. Fatmirësisht, të gjithë shpëtuan pa lëndime.
Rrugët e Shoshollit dhe Koznikut u bashkuan sërish në vitet e rezistencës ndaj regjimit serb. Kozniku nuk hezitoi t’i bashkohej kombëtares së Kosovës më 14 shkurt 1993 në Tiranë, edhe pse Kosova nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht dhe kjo mund t’i rrezikonte karrierën.
Në ndeshjen e parë miqësore Kosovë – Shqipëri, ai iu përgjigj pa hezitim ftesës së selektorit të parë të Kosovës, Ajet Shoshollit.
Më 12 qershor 1999, Kozniku iu përgjigj edhe një tjetër ftese të Shoshollit, kësaj radhe në një ndeshje humanitare të Prishtinës në Tetovë, organizuar për të ndihmuar popullin e Kosovës gjatë luftës dhe masakrave të regjimit serb.
Kozniku me Hajdukun e Splitit fitoi Kupën e fundit “Marshall Tito” më 9 maj 1991. Po ashtu, ishte në fushë më 26 shtator 1990 në ndeshjen e famshme Hajduku – Partizan i Beogradit, e cila u ndërpre dhe ku u dogj flamuri i ish-Jugosllavisë.
Në sezonin e parë të pavarur të futbollit kroat 1991/92, Kozniku ishte golashënuesi më i mirë me 12 gola.
Ai gjithashtu u bë shqiptari i parë që fitoi medaljen e bronztë me Kroacinë në Kampionatin Botëror - 1998, nën drejtimin e selektorit Mirosllav Çiri Blazheviq.
Në anën tjetër, Shosholli mbetet një figurë historike e futbollit shqiptar.
Në vitin 1978, Ajet Shosholli së bashku me Hysni Maxhunin drejtuan Trepçën në Ligën e parë të ish Jugosllavisë dhe në finalen e Kupës “Marshall Tito’ luajtën ndaj Rijekës, ku fitoi skuadra kroate pas 120 minutave me rezultat 1:0.
Ai ishte arkitekti i ngritjes së Shkëndijes në Ligën e Parë të Maqedonisë në sezonin 1995/96 dhe trajneri i vetëm shqiptar që drejtoi Prishtinën në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë, nga vjeshta e vitit 1984 deri në pranverën e vitit 1985.
Historia e Ajet Shoshollit dhe Ardian Koznikut është histori që nuk harrohet kurrë.