Lionel Scaloni, përzgjedhësi i Argjentinës, pranoi se kapiteni Lionel Messi nuk do të jetë plotësisht i gatshëm kur t’i bashkohet ekipit për mbrojtjen e titullit të Kupës së Botës.
Ylli i Interit pësoi një lëndim në pjesën e pasme të kofshës në paraqitjen e fundit në MLS, duke shkaktuar shqetësim te tifozët argjentinas vetëm disa javë para fillimit të turneut në Amerikën e Veriut.
Fituesi tetë herë i ‘Topit të Artë’ u zëvendësua gjatë ndeshjes dramatike ndaj Philadelphia Union, ku u shënuan plot dhjetë gola, gjë që menjëherë ngriti frikën për gatishmërinë e tij për Botërorin. Scaloni dha informacione të reja për gjendjen e lojtarit të tij kryesor, duke konfirmuar se lëndimi nuk është serioz, por se Messi nuk është ende në 100 për qind të formës.
“Informacionet fillestare nuk janë aspak të këqija”, deklaroi Scaloni për ‘DSports’. “Tani duhet të presim zhvillimin e situatës dhe rezultatet e ekzaminimeve të mëtejshme për të parë nëse do të konfirmojnë vlerësimet e para të mjekëve.”
Sulmuesi me përvojë doli nga loja në minutën e 73-të në fitoren 6:4 ndaj Philadelphias, pasi ndjeu shqetësim pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi. Nga Inter Miami më vonë sqaruan se kapiteni i tyre vuan nga mbingarkesa e kofshës së majtë të pasme, e shkaktuar nga lodhja muskulore.
Pavarësisht kësaj, Scaloni mbetet optimist dhe beson se kapiteni do të jetë gati për ndeshjen hapëse të grupit J kundër Algjerisë më 16 qershor, edhe nëse nuk do të jetë plotësisht në formë.
“Të gjithë donim që Messi të na bashkohej plotësisht i gatshëm, por kjo nuk është realiteti”, shtoi Scaloni. “Ai nuk është i vetmi – shumë lojtarë ende nuk janë rikuperuar plotësisht nga lëndimet. Prioriteti ynë kryesor tani është rehabilitimi i tyre, që të arrijnë në Botëror në gjendjen më të mirë të mundshme”.