Portieri hero, Kosova fiton trofeun pas një drame të pabesueshme

Futboll

Portieri hero, Kosova fiton trofeun pas një drame të pabesueshme

Nga: K.G. Më: 27 maj 2026 Në ora: 20:52
Kosova Dusseldorf

Një finale që do të kujtohet gjatë ka sjellë festë të madhe për Kosovën e Dusseldorfit, që ka ngritur trofeun e Kupës së Qarkut në Dusseldorf pas një përballjeje dramatike ndaj Lohausener SV.

Pas 120 minutash të mbushura me emocione dhe një serie penalltish plot tension, skuadra e Kosovës triumfoi me rezultat 8:6.

“Takimi ishte një spektakël i vërtetë futbolli, ku FC Kosova u detyrua tri herë të rikthehej nga disavantazhi.

Edhe pse kundërshtari ishte pranë festës para tifozëve të vet, skuadra nga Düsseldorfi nuk u dorëzua deri në sekondat e fundit.
Në kohën shtesë, Lohauseni arriti të përmbysë rezultatin dhe dukej se trofeu tashmë kishte marrë drejtimin e vet.

Mirëpo, kur gjithçka po shkonte drejt fundit, skena u pushtua nga portieri veteran Enea Koliçi.

Në aksionin e fundit të ndeshjes, ai u hodh në zonë gjatë një goditjeje nga këndi dhe realizoi me kokë golin e barazimit, duke shpërthyer festën te bashkëlojtarët.

Pas kësaj, ndeshja shkoi në penallti, aty ku Kolici u shndërrua në heroin absolut. Portieri i FC Kosova priti dy goditje të kundërshtarit dhe vulosi triumfin historik të ekipit të tij.

Trajneri i skuadrës, Rudi Istenic, nuk e fshehu emocionin pas suksesit, duke e cilësuar këtë një nga ndeshjet më të çmendura që ka përjetuar ndonjëherë, madje edhe gjatë karrierës së tij si futbollist profesionist.

Ai vlerësoi karakterin e skuadrës, e cila sipas tij po përballet me sfida të shumta, mungesa të rëndësishme dhe probleme të brendshme, por sërish arriti të tregojë forcë dhe unitet.

Në anën tjetër, zhgënjimi ishte i madh te vendasit e Lohausenit, të cilët ishin shumë pranë triumfit.

Trajneri Nikos Tsakiris përgëzoi lojtarët e tij për paraqitjen dhe atmosferën e krijuar, duke thënë se futbolli ndonjëherë mund të jetë i padrejtë, por dita do të mbetet gjatë në kujtesë për gjithçka që ekipi dha në fushë.

Për Kosova Düsseldorf, ky sukses shënon një moment të veçantë dhe një trofe që erdhi pas një finaleje të paharrueshme, ku një portier veteran u bë heroi i madh i mbrëmjes”, ka shkruar media gjermane “Fupa”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat