Ky ishte një nga skandalet më të mëdha në sportin e Kosovës, që la pa fjalë të gjithë

Futboll

Ky ishte një nga skandalet më të mëdha në sportin e Kosovës, që la pa fjalë të gjithë

Nga: K.Goca Më: 18 shtator 2026 Në ora: 21:19
Rezultatet dhe tabela, viti 23 qershor, 1980

Edhe sot përmendet ndeshja e zhvilluar më 22 qershor në  vitin 1980 në Gjakovë, ndërmjet Gjakovës dhe KXEK Kosovës nga Obiliqi.

Ajo ndeshje u konsiderua si një nga skandalet më të mëdha sportive të asaj kohe.

Gjakova e mposhti KXEK Kosovën me rezultatin e pabesueshëm 19:0.

Por pse ishte i nevojshëm një rezultat kaq i thellë?

Sepse Gjakovës i duhej një golaverazh më i mirë se Lirisë, në mënyrë që të siguronte vendin e parë.

Në anën tjetër, Liria kishte mposhtur Flamurtarin e Prishtinës me rezultat 7:2.

Si Gjakova, ashtu edhe Liria kishin nga 46 pikë. Megjithatë, Gjakova, pavarësisht se e mbylli kampionatin në vendin e parë, nuk u lejua të ngjitej në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë.

As Liria, që e përfundoi kampionatin me po aq pikë, nuk përfitoi nga situata.

Përfundimisht, Vëllaznimi përfitoi nga kjo situatë dhe, edhe pse e mbylli kampionatin në vendin e tretë, siguroi ngjitjen në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë. 

“Në javën e fundit të kampionatit të sivjetshëm të Ligës së Parë të futbollit të Kosovës, Gjakova mundi KXEK Kosovën me rezultat të thellë 19:0 (7:0).

Ndeshja u zhvillua në stadiumin e qytetit, në një terren të mirë dhe të përshtatshëm për lojë.

Në prani të afro 4.000 spektatorëve, golat u shënuan nga: Haxhishabani 1, 29, Binakaj 5, 57, 60, Purrini 12, 72, Roka 20, 52, 54, 70, 84, Mula 31, 33 dhe Shehu 64 (nga penalltia), e 76, Gjoshi 74 dhe Lleshi në minutën 89”, ka shkruar mes të tjera gazeta “Rilindja” me 23 qershor të vitit 1980.

Gjakova – KXEK Kosova 19:0
Gjyqtar: Salih Çubrelli nga Mitrovica.
Gjakova: Rudi, Shehu 7, Radogoshi 6, Mula 7, Lama 6, Jovanoviq 6, Roka 8, Haxhishabani 7 (Haxhiavdyli), Binakaj 7 (Lleshi), Gashi 7 dhe Purrini 6.

KXEK Kosova: Milenkoviq 5 (Breznica 5), Joviq 5, Nikoliq 5, Sllaviq 5, Mitroviq 5, Zogoviq 5, Kosova 5, Kovaçeviq 5, Miletiq 5, Jakovleviq 5 dhe Jakovleviq II 5.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat