Sermaxhaj: Ndeshja me Izraelin në Prishtinë është testi i parë i nëntorit

Futboll

Sermaxhaj: Ndeshja me Izraelin në Prishtinë është testi i parë i nëntorit

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 27 tetor 2026 Në ora: 14:09
Genc Sermaxhaj

Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka folur për ecurinë e Kampionatit të Kosovës pas 11 javëve të para, si dhe për kombëtaren e Kosovës, të cilën në mesin e muajit nëntor e presin dy ndeshje vendimtare në kuadër të Ligës B të Kombeve.

Sermaxhaj ka komentuar paraqitjet e skuadrave në edicionin aktual të Superligës së Kosovës, duke veçuar ekipet që e kanë befasuar më së shumti, si dhe skuadrat që rrezikojnë ta humbin statusin e anëtarit të elitës së futbollit kosovar.

Duke folur për kombëtaren e Kosovës, analisti ka theksuar se fati i saj është në duart e veta dhe se ndeshjet e nëntorit do të jenë vendimtare për objektivat e saj në Ligën e Kombeve. 

“Bota sot”: Si i sheh 11 javët e para në elitën e futbollit të Kosovës?

Genc Sermaxhaj: Javët e para në Superligë ishin mjaft të mira e interesante sepse kishim të bënim me një garë të paparashikueshme të të gjitha ekipeve dhe kishte fitore e humbje të papritura të ekipeve gjë që e bëri interesante garën për të gjitha. 

“Bota sot”: Cilat skuadra ju befasuan për të mirë e cilat për të keq?

Genc Sermaxhaj: Për të mirë padyshim ishte Malisheva e Prishtina, të cilat edhe kryesojnë renditjen, ndërsa ato që po zhgënjejnë janë shumë si: Ballkani, Gjilani, Llapi edhe Drita në disa prej xhirove të para, por që tani ka filluar këndelljen. 

“Bota sot”: A kanë Prishtina dhe Malisheva forcë për ta mbatur hapin për titull deri në fund?
Genc Sermaxhaj:
Malisheva e Prishtina kanë ekipe të mira dhe cilësi që mund të vazhdojnë edhe më tutje kryesimin e renditjes, por kampionati është i gjatë dhe mund të vijnë të papriturat. 

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh më të rrezikuara?

Genc Sermaxhaj: Ekipet si Vushtrria e Llapi, janë dy më të rrezikuara padyshim. Nuk kanë loje të mirë e as rezultate. Do të kenë vështirësi të mëdha në vazhdim. 

“Bota sot”: Jemi afër muajit nëntor, ku Kosova do të ketë dy ndeshje në Ligën B të Kombeve, sa i ka gjasat për vend të dytë?

Genc Sermaxhaj: Kosova ka mundësi të mirë që të vazhdojë rrugëtimin e saj edhe për më tutje sepse ka arritur të tuboj 5 pikë dhe gjendet e dyta në renditje.

Fati i Kosovës është në duar të veta. 

“Bota sot”: Dy takime, njërën në Prishtinë me 14 nëntor me Izraelin dhe tjetra me 17 nëntor në fushë të Republikës së Irlandës, a prisni pikë maksimale?

Genc Sermaxhaj: Ndeshja me Izraelin në Prishtinë është testi i parë i nëntorit dhe mundësia më e mirë për të fituar. Nëse këtë ndeshje Kosova kalon me fitore atëherë me Irlandën mund të dihet gjithçka sepse Irlanda luan ndeshjen e saj të parë në nëntor ndaj Austrisë. 

“Bota sot”: Ku është arma më e fortë e Kosovës?

Genc Sermaxhaj: Arma më e fortë e Kosovës është mbrojtja. Ka dëshmuar se edhe pa Rrahmanin janë të sigurta dhe mjaft cilësore. Por gjithashtu edhe mesfusha e sulmi janë në nivel shumë të mirë. 

“Bota sot”: A mendoni se kjo gjeneratë do të futet në histori në vitet e ardhshme me kombëtare?

Genc Sermaxhaj: Kosova ka filluar ngapak edhe përtërirjen e ekipit dhe me shumë gjasë këta djem do të bëjnë histori me Kosovën në të ardhmen e afërt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat