Vdekja tragjike e sulmuesit të CD Tenerife, Jesús de Miguel, pas përplasjes së rëndë me portierin e FC Andorrës, Jesús Owono, ka hapur një debat të madh juridik në Spanjë mbi atë se a mund të mbajë përgjegjësi penale portieri për një incident të ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli?
Sipas një analize të publikuar nga mediumi portugez “A Bola”, ekspertët e së Drejtës Sportive dhe Penale në Spanjë vlerësojnë se ekzistojnë kufij të qartë mes shkeljeve disiplinore në sport dhe veprave penale.
Në qendër të këtij debati është parimi i njohur si “rreziku i lejuar sportiv”. Sipas kësaj doktrine, futbollistët që hyjnë në fushë pranojnë në mënyrë të nënkuptuar rreziqet që shoqërojnë lojën, përfshirë kontaktet fizike, ndërhyrjet e forta dhe lëndimet që mund të shkaktohen gjatë ndeshjes.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton se çdo veprim në fushë është i përjashtuar nga përgjegjësia penale. Sipas jurisprudencës spanjolle, vetëm rastet e agresionit të qëllimshëm, dhunës së panevojshme apo veprimeve krejtësisht të shkëputura nga loja mund të kalojnë përtej përgjegjësisë disiplinore sportive dhe të trajtohen si çështje penale.
Sa i përket incidentit mes Owono dhe de Miguelit, analiza thekson se përplasja ndodhi gjatë një aksioni futbollistik, kur portieri doli nga zona e portës për të ndërhyrë ndaj sulmuesit. Për këtë arsye, në mungesë të provave për një veprim të qëllimshëm dhe të shkëputur nga loja, vlerësimi fillestar juridik anon nga përjashtimi i përgjegjësisë penale.
Megjithatë, çdo përfundim mbetet i parakohshëm, pasi përcaktimi i përgjegjësisë varet nga rezultatet e hetimeve.
Në Spanjë, procedura për raste të tilla përfshin autopsinë mjeko-ligjore, përmes së cilës synohet të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes dhe nëse ekziston lidhje e drejtpërdrejtë shkakësore mes përplasjes në fushë dhe arrestit kardiorespirator.
Ndërkohë, futbolli spanjoll vazhdon të jetë në zi për humbjen e 29-vjeçarit Jesús de Miguel, ndërsa tragjedia ka tronditur të dy klubet dhe komunitetin sportiv.