Baseli ka barazuar 3:3 në udhëtim ndaj Thunit, në një ndeshje dramatike të vlefshme për javën e 13-të të Superligës së Zvicrës.
Xherdan Shaqiri mungoi në këtë takim për shkak të pezullimit pas plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë, duke qenë një mungesë e rëndësishme për skuadrën baselase. Baseli shpërdoroi epërsinë prej dy golash dhe nuk arriti të rikthehej te fitorja, duke regjistruar ndeshjen e pestë radhazi pa triumf në kampionat.
Mysafirët e nisën në mënyrë të shkëlqyer takimin. Që në minutën e parë, Zan Celar realizoi për 0:1, ndërsa në minutën e 12-të Philip Otele dyfishoi epërsinë pas një pasimi të shkëlqyer nga Metinho. Thuni reagoi shpejt dhe në minutën e 16-të ngushtoi rezultatin në 1:2.
Furkan Dursun ia rrëmbeu topin portierit Jonas Omlin, ndërsa Brighton Labeau e dërgoi atë në rrjetë. Vendasit vazhduan të kërkonin barazimin dhe në minutën e 39-të Nils Reichmuth realizoi për 2:2, duke e befasuar portierin Omlin me një goditje në këndin e portës. Në pjesën e dytë, Baseli riktheu epërsinë.
Pas një kombinimi mes Metinhos dhe Zan Celarit, ky i fundit u pengua në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti. Celar ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e 55-të për rezultatin 2:3. Megjithatë, fitorja u iku mysafirëve në minutën e 79-të.
Pas një goditjeje të lirë të ekzekutuar nga Fabio Fehr, Kevin Rüegg devijoi topin me kokë në portën e tij, duke shënuar autogol për rezultatin përfundimtar 3:3. Kështu, Baseli vazhdon serinë prej pesë ndeshjesh pa fitore në kampionat, ndërsa Thuni ende nuk ka arritur të regjistrojë fitoren e parë si vendas në këtë edicion.
Në renditjen e kampionatit, Baseli renditet në vend të shtatë në kuotën e 15 pikëve, ndërsa Thuni gjendet një pozitë më poshtë me 14 pikë.
Pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve, Thuni do të luajë në udhëtim ndaj Young Boys më 21 nëntor, ndërsa Baseli një ditë më vonë do të presë Luzernin,