“Çështje zemre dhe një premtim për gjyshin”: si e humbi Zvicra Lutfi Dalipin

Futboll

“Çështje zemre dhe një premtim për gjyshin”: si e humbi Zvicra Lutfi Dalipin

Nga: Bota sot Më: 13 nëntor 2026 Në ora: 15:15
Lutfi Dalipi

Vendimi i Lutfi Dalipit për të luajtur për Kosovën është bërë temë e madhe në mediat zvicerane. Për to, ky është edhe një talent tjetër që u rrit në futbollin zviceran, por që do të veshë fanellën e një kombëtareje tjetër.

Mesfushori 20-vjeçar, i lindur në Fribourg dhe me prejardhje nga Presheva, e bëri publik vendimin të enjten mbrëma përmes një videoje. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e konfirmoi lajmin në Instagram, me një fotografi nga takimi me të në aeroportin e Prishtinës.

Sipas gazetës 20 Minuten, njerëzit e afërt me lojtarin thonë se vendimi është "çështje zemre". Gazeta Blick kishte shkruar më herët se Dalipi i kishte premtuar gjyshit se në të ardhmen do të luante për Shqipërinë ose për Kosovën. Përveç Zvicrës, ai kishte të drejtë të luante edhe për Portugalinë.

Dalipi është produkt i futbollit zviceran dhe ka luajtur për Zvicrën në U18, U20 dhe U21. Së fundmi ai refuzoi ftesën e U21-shit për ndeshjet e radhës, gjë që, sipas 20 Minuten, e befasoi trajnerin Alex Frei.

Vendimi vjen në kulmin e formës së tij. I huazuar nga Young Boys te Vaduz-i, Dalipi ka grumbulluar 14 pikë (gola dhe asistime) në 12 ndeshjet e para të Superligës. Sipas Blue News, ai është lojtari me më shumë asistime në kampionat. Blick shkruan se e ndjekin nga afër klube si Stuttgart, Hoffenheim, Frankfurt dhe Salzburg, ndërsa Young Boys e sheh si zëvendësuesin e ardhshëm të Alvyn Sanches.

"Forca ime e madhe është kreativiteti", ka thënë Dalipi për televizionin publik SRF, duke shtuar se synimi i tij ka qenë gjithmonë të luajë një ditë për Young Boys.

Në Zvicër, pjesë e debatit është edhe qëndrimi i përzgjedhësit Murat Yakin. Ai e kishte lavdëruar Dalipin për paraqitjet në Superligë, por pati thënë se me kaq shumë mesfushorë qendrorë do të ishte e vështirë që ai të futej në grup. Për Blick, Yakin tha se nuk do të ishte e drejtë ta merrte lojtarin me vete dhe ta linte të luante vetëm një minutë.

Portali Nau.ch e cilëson hipokrit zemërimin ndaj Federatës Zvicerane të Futbollit dhe ndaj vetë Dalipit. Ai kujton se para tij edhe Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari zgjodhën Kosovën.

Në Kosovë, lajmi u prit me entuziazëm. Përzgjedhësi Franco Foda kishte deklaruar para grumbullimit se do ta prisnin vendimin e tij, me shpresën që ai të zgjidhte Kosovën. Dardanët presin nesër Izraelin në stadiumin "Fadil Vokrri", nga ora 15:00, ndërsa më 17 nëntor udhëtojnë në Dublin për ndeshjen ndaj Irlandës në Ligën e Kombeve. Ende nuk është bërë e ditur nëse Dalipi do të jetë në dispozicion për këto ndeshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat