Paris Saint-Germain thuhet se po përgatit një ofertë prej 200 milionë eurosh për transferimin e yllit turk, Arda Güler, nga Real Madridi.
Sipas raportimeve të mediumit “ElGolDigital”, gjiganti francez është i interesuar për shërbimet e 21-vjeçarit dhe po shqyrton mundësinë e një oferte që do të trondiste tregun e transferimeve.
PSG-ja, sipas këtyre raportimeve, është e gatshme t'i ofrojë futbollistit turk një pagë vjetore prej 22 milionë eurosh, rreth 14 milionë euro më shumë sesa paga që thuhet se i ofron aktualisht Real Madridi.
Një transferim i tillë do të kishte përmasa historike. Nëse realizohet për 200 milionë euro, Arda Güler do të bëhej shitja më e shtrenjtë në historinë e Real Madridit dhe transferimi i dytë më i shtrenjtë në historinë e futbollit, pas Neymarit, i cili në vitin 2017 kaloi nga Barcelona te PSG-ja për 222 milionë euro.
Megjithatë, largimi i tij nuk duket i lehtë. Sipas raportimeve, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk dëshiron ta humbasë futbollistin turk, ndërsa vetë Güler raportohet se nuk ka ndërmend të largohet nga klubi madrilen.
Real Madridi e transferoi atë nga Fenerbahçe në verën e vitit 2023 për 20 milionë euro, plus 10 milionë euro bonuse. Kontrata e tij me klubin spanjoll është e vlefshme deri në vitin 2029, ndërsa vlera e tij aktuale në treg vlerësohet në 100 milionë euro.
Güler këtë sezon ka regjistruar 14 paraqitje me fanellën e Real Madridit, duke shënuar katër gola dhe dhënë shtatë asistime.