Dramë në Danimarkë! Norvegjia përmbys rezultatin nga 2:0 në fitore në minutën e 90+6-të dhe siguron çerekfinalen e Ligës së Kombeve

Futboll

Dramë në Danimarkë! Norvegjia përmbys rezultatin nga 2:0 në fitore në minutën e 90+6-të dhe siguron çerekfinalen e Ligës së Kombeve

Nga: B.S Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 22:59
Haaland feston me një fitore të madhe, të arritur pas një përmbysjeje spektakolare!

Norvegjia ka mposhtur Danimarkën me rezultat 3:2 në Kopenhagë, në ndeshjen e fundit të Grupit A4 të Ligës së Kombeve, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale pas një përmbysjeje dramatike.

Danezët, pas vetëm 14 minutash lojë, ishin në epërsi 2:0 me golat e Rasmus Højlund dhe Pierre-Emile Højbjerg, por norvegjezët u rikthyen në lojë me golat e Erling Haalandit në minutën e 37-të dhe Martin Ødegaardit në minutën e 83-të.

Përmbysjen e plotë e realizoi Haaland, i cili shënoi nga pika e bardhë në minutën e gjashtë të kohës shtesë.
Norvegjisë i duhej fitorja për t'u kualifikuar në çerekfinale, ndërsa Danimarkës i mjaftonte edhe barazimi.

Kështu, danezët deri në fund të ndeshjes kishin rezultatin që i dërgonte mes tetë përfaqësueseve më të mira, por në fund mbetën pa çerekfinale.

Danimarka kishte dy gola epërsi pas 14 minutash

Vendasit e nisën shkëlqyeshëm ndeshjen. Højlund shënoi në minutën e 11-të për epërsinë e parë, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Højbjerg e çoi rezultatin në 2:0.

Dukej se Danimarka kishte gjithçka nën kontroll, por Norvegjia u rikthye në lojë para përfundimit të pjesës së parë.

Haaland përfitoi nga një gabim i madh i portierit danez Mads Hermansen në minutën e 37-të dhe ngushtoi rezultatin në 2:1. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, ndërsa norvegjezëve u duheshin edhe dy gola për kualifikim.

Haaland shënon golin e fitores në kohën shtesë

Norvegjezët arritën të barazonin në minutën e 83-të me golin e kapitenit Martin Ødegaard. Megjithatë, rezultati 2:2 vazhdonte t'i konvenonte Danimarkës, e cila ishte shumë pranë çerekfinales.

Drama arriti kulmin në minutën e gjashtë të kohës shtesë, kur Norvegjia fitoi një penallti. Përgjegjësinë e mori Haaland, i cili realizoi për 3:2, duke i dhuruar përfaqësueses së tij fitoren dhe një vend mes tetë kombëtareve më të mira të Ligës së Kombeve.

Kështu, Norvegjia e përfundoi grupin në vendin e dytë (9 pikë), pas Portugalisë (15 pikë), ndërsa Danimarka zbriti në vendin e tretë (9 pikë) dhe mbeti jashtë çerekfinales.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat