Priten vërshime të reja në rrafshin e Dukagjinit, por jo të nivelit të lartë

Kosova

Priten vërshime të reja në rrafshin e Dukagjinit, por jo të nivelit të lartë

Më: 26 janar 2021 Në ora: 11:20
Foto ilustrim

Për shkak të reshjeve të borës, ditëve në vazhdim pritet të ketë edhe vërshime të shpejta dhe lumore në disa zona të Kosovës, kryesisht në rrafshin e Dukagjinit.

Kështu tha në një prononcim Bashkim Kastrati, nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).

Sipas tij, Drini i Bardhë ka ngritje më të lartë të intensitetit të ujit, pastaj edhe degët e tij si Ereniku, Bistrica e Deçanit, Bistrica e Pejës, Mirusha, Toplluha, edhe lumenjtë e tjerë të cilët derdhen në këtë lumë.

“Do të ketë vërshime të shpejta dhe vërshime lumore në disa zona të Kosovës, por kryesisht kësaj radhe më tepër në rrafshin e Dukagjinit. I kemi disa zona që më tepër janë të prekura siç është komuna e Deçanit, Junikut, Gjakovës, një pjesë e Prizrenit, e Suharekës, Rahoveci, Klina dhe e Malishevës. Jemi duke e nxjerr situatën aktuale hidrologjike dhe meteorologjikë dhe kemi ngritje nëpër lumenj kryesorë të asaj zone, kështu që Drini i Bardhë ka ngritje më të lartë, pastaj edhe degët e tij Ereniku, Bistrica e Deçanit, Bistrica e Pejës, Mirusha, Toplluha, edhe lumenjtë e tjerë të cilët derdhen në Drinin e Bardhë”, ka thënë Kastrati.

Siç tha ai vërshime masovike dhe me intensitetit të lartë si në ditët e kaluara nuk do të ketë.

“Kjo ngritje është relativisht e lartë dhe është niveli i parë mbrojtës, por nuk presim që të kalojmë në situatën siç ka qenë javën e kaluar me vërshimet masovike”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa, Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka thënë se reshjet e borës sot do të vazhdojnë deri në orët e pasdites, të cilat më pas siç tha ai do të ndërpriten.

Aliu po ashtu tha se në ditët në vazhdim do të ketë edhe ngrica ku temperaturat do të ulen nga minus 5 deri 6 gradë Celsius.

“ Moti në vendin tonë është kryesisht i vranët. Sot do të ketë reshje të borës deri në orët e pasdites, pastaj reshjet do të ndërpriten. Mirëpo, do të kemi ulje të temperaturave deri minus 5 dhe 6 gradë Celsius. Do të ketë ngrica gjatë ditës së nesërme dhe pasnesër. Reshje me intensitet më të lartë ka në viset malore, por dhe në veri dhe veri-perëndim të Kosovës kemi pas reshje më të dendura gjatë natës, por e mira e kësaj është që temperaturat nuk janë të ulëta, janë diku rreth 0 gradë Celsius, e në ditët në vijim do të ulen nga minus 5 deri në 6 gradë Celsius”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket shpejtësisë së erës, Aliu tha se do të jetë  diku  nga 1 deri 7 metra për sekondë në rrafshin e Kosovës, kurse në Dukagjin do të jetë mbi 10 metra për sekondë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat