Gjonbalaj për arrestimin e mjekut në Podujevë: Deri dje ishim heronj, sot jemi kriminelë

Kosova

Gjonbalaj për arrestimin e mjekut në Podujevë: Deri dje ishim heronj, sot jemi kriminelë

Më: 16 prill 2021 Në ora: 18:17
Ibrahim Hoti

Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, e ka quajtur “gjueti shtrigash” arrestimin e pulmologut Ibrahim Hoti mbrëmjen e së enjtes në Podujevë, pas publikimit të një videoje ku ai refuzonte t’i ofonte shërbimin mjekësor një të moshuari.

Gjonbalaj ka deklaruar në ktv se është i papranueshëm arrestimi i një mjeku nga një prokuror duke shtuar se është dashur të niste hetimi lidhur me rastin, por jo të bëhej menjëherë arrestimi i tij

“Kjo është 'gjueti shtrigash'. Një prokuror që paguhet trefishin e mjekut merr një vendim për arrestimin e mjekut dhe sot i ka lënë të gjithë pacientët pa shërbim specialistik në Podujevë. Nuk ka justifikim Prokuroria që në 10 të natës jep urdhër për arrestimin e një mjeku. Kemi raste që edhe mjekët janë sulmuar në vendin e punës dhe Prokuroria i ka marrë në intervistë të dyshuarit në kushte lirie. Mjeku nuk duhet të arrestohet, nuk di ku prokurori e ka gjetur atë të drejtë që ka arrestuar një mjek, dje ai mjek ka dhënë 45 shërbime për pacientët në nevojë”, ka thënë Gjonbalaj.

Sipas tij, reagimi i vrazhdë i mjekut të arrestuar mbrëmë ndaj të moshuarit ka ardhur si pasojë e një lodhjeje kronike për shkak të pandemisë.

“Nuk besoj që qytetari ka ngelur pa shërbim, ne vërejtëm në bazë të videos që u bë një debat, mjeku kishte përfunduar orarin e punës dhe siç pohon mjeku ishte i njëjti pacient që kishte kërkuar të njëjtin shërbim disa herë pas orarit dhe mjeku ia kishte dhënë”, është shprehur ai.

Ai ka hedhur dyshime për përfshirjen e politikës në këtë rast.

“Kjo vjen nën efektin e ndryshimit të pushteteve. Në këtë rast, Prokuroria u mburr se po mbaron një punë dhe po i hyn në hatër politikës. Nuk justifikohet ndryshe”, ka deklaruar Gjonbalaj. “Deri dje ishim heronj, me veprimin e mbrëmshëm nuk jemi më ata heronj, por jemi kriminela. Mjekët janë sulmuar në vendin e punës dhe prokuroria nuk ka marrë masa, kurse një mjek për një komunikim të vrazhdë arrin në arrestim”.

Ai ka paralajmëruar ankesë në Prokurori nga Oda e Mjekëve.

Pulmologu Ibrahim Hoti është suspenduar nga puna pasditen e së enjtes pasi kishte refuzuar t’i ofronte shërbim mjekësor një të moshuari në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Ndërkaq, sot, kolegë të tij nga QKMF-ja në Podujevë kanë protestuar duke kundërshtuar arrestimin e tij dhe më pas edhe suspendimin nga puna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat