Podujevë: Bie numri i rasteve aktive me koronavirus, rritet numri i të shëruarve

Kosova

Podujevë: Bie numri i rasteve aktive me koronavirus, rritet numri i të shëruarve

Më: 19 prill 2021 Në ora: 00:32
Foto ilustrim

Në Komunën e Podujevës ka nisur të bie numri i rasteve të reja me virusin korona, derisa gjatë së dielës janë konfirmuar pozitivë për koronavirus 18 persona.

Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, 13 prej tyre janë në qytet, 2 në fshatin Dobërdol dhe me nga një rast në fshatrat; Bërvenik, Sfeçël dhe Katunishtë.

Si pasojë e rënies së rasteve të reja ditore është zvogëluar për gati 100 edhe numri i rasteve aktive me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Kështu ka thënë edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama.

“Nga IKSHPK sot jemi lajmëruar edhe 18 raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht i kemi 334 raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Epidemiologia Rama ka thënë se edhe 95 qytetarë llapjanë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 4 mijë. Deri tash janë raportuar 57 viktima, kurse 3.811 pacientë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar sot edhe 364 raste të reja me virusin korona, pas testimit të 3.501 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.

Kosova ka konfirmuar rastet e para pozitive më 13 mars të vitit të kaluar dhe, që atëherë, ka regjistruar gjithsej 101.517 të tilla. Prej tyre, 2.072 pacientë kanë vdekur dhe 87.012 janë shëruar. Aktualisht janë edhe 12.433 raste aktive.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar masat e reja anti-COVID që do futen në fuqi nga 19 prilli.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar që institucionet publike dhe private të arsimit do vazhdojnë procesin e rregullt, derisa puna e gastronomisë do vazhdojë punën deri në orën 22:00, ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat