​Rasti i përdhunimit të 15-vjeçares, kërkohet shkarkimi i gjyqtares dhe prokurores së rastit

Kosova

​Rasti i përdhunimit të 15-vjeçares, kërkohet shkarkimi i gjyqtares dhe prokurores së rastit

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 15:37
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka kërkuar sot shkarkimin e gjyqtares dhe prokurores që janë marrë me rastin e përdhunimit të 15-vjeçares në Pejë, për shkak të dënimit të ulët që i është dhënë kryerësit të kësaj vepre.

Përfaqësues të kësaj organizate vendosën banerë në muret e këtyre institucioneve të drejtësisë, ku kishin paraqitur kërkesat e tyre, e më pas u larguan të qetë.

Liridona Sijarina nga organizatat që merren me të drejtat e grave tha se dhunimi seksual si vepër kriminale është i dënueshëm sipas Kodit Penal, i cili sanksionon dënim prej 5 deri në 20 vite burgim, ndërkohë që në këtë rast përdhunuesi është dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim.

Dhuna e shumëfishtë që vajzat dhe gratë përjetojnë në të gjitha hapësirat dhe sferat e organizimit privat e publik në Kosovë, sipas Sijarinës, duhet trajtuar drejt dhe me urgjencë.

Sijarina: Të shkarkohen gjyqtarja dhe prokurorja e rastit

“Kërkesat tona specifike në këtë aksion janë: të hetohet përgjegjësia disiplinore e prokurores dhe gjyqtares të përfshirë në këtë rast, të shkarkohen prokurorja dhe gjyqtarja e rastit, si dhe të ofrohet transparencë e plotë mbi rastin. Këto janë kërkesat tona bazike nga të cilat ne nuk tërhiqemi”, tha ajo.

Ajo tha se është e papranueshme sesi gjykata nuk kishte gjetur as edhe një rrethanë rënduese edhe pse përdhunuesi e kishte rrëmbyer dhe e kishte mbajtur kundërligjshëm vajzën e mitur.

Sijarina: Nuk do të tolerojmë normalizimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave

“Këto institucione, të cilat po i dhunojnë vajzat e gratë, duhet të kundërshtohen fuqishëm nga të gjitha ne. Ne do të kërkojmë llogari nga secili prej zyrtarëve e zyrtareve ligjorë publikë, përgjegjës për nxjerrjen e këtij vendimi. Ne nuk do të tolerojmë që dhuna ndaj vajzave dhe grave të ushqehet, normalizohet a amnistohet nga institucionet”, tha ajo.

Ndërkohë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat