Situata sfiduese në shkollën “Mihal Grameno”, Kurtulaj thirrje Qeverisë së Kosovës

Kosova

Situata sfiduese në shkollën “Mihal Grameno”, Kurtulaj thirrje Qeverisë së Kosovës

Nga: A.M. Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 15:34
Albert Kurtulaj

Albert Kurtulaj, kryetari i Këshillit Drejtues të Shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, ka bërë thirrje nga Qeveria që të marrë masa për uljen e numrit të nxënësve në këtë shkollë.

Kurtulaj tha se se komuna e Fushë Kosovës ka nevojë për regrutim shtesë të stafit mësimdhënës, ku do duhej patjetër të merreshin në konsideratë edhe shërbimet përcjellëse në shkollë si pedagog, psikolog e staf mbështetës për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, shkollë kjo me numrin më të madh të nxënësve në klasa, në Republikën e Kosovës, bëjë thirrje për reagim të menjëhershëm, serioz e pa improvizime si domosdoshmëri për kalimin e kësaj situate”, shkroi ai në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Përderisa në të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës është mjaftë sfiduese rënia e numrit të nxënësve në shkolla, komuna e Fushë Kosovës ka rritje të konsiderueshëm të numrit të nxënësve. Përderisa Komunat si ajo e Kamenicës ka rënie të numrit të nxënësve për 44%, ajo e Junikut për 42%, Viti e Dragash për 39%, Gjilan e Deçan për 36%, është pothuaj se e vetmja komuna e Fushë Kosovës që ka rritje të numrit të nxënësve për 17%.

Sipas Udhëzimit administrativ, në institucionet edukativo-arsimore, respektivisht në shkollat fillore në një klasë-paralele për nivelin e parë 1-5 duhet të jenë 30 nxënës, maksimumi i lejuar është 35 dhe në paralele për nivelin e dytë 6-9 duhet të jenë 32 nxënës, maksimumi i lejuar 35. Në shkollat fillore në qytetin e Fushë Kosovës klasat janë të mbingarkuara më numër të nxënësve, pothuaj se secila klasë ka mbi 40 nxënës e numri shkon deri në 47 nxënës për klasë. Në këtë situatë shqetësuese, për nivelin dhe cilësinë e arsimit në këto shkolla me numër tepër të madh të nxënësve në klasa, në kundërshtim të plotë me kriteret e Udhëzimit Administrativ 22/2013, Qeveria dhe Institucionet përgjegjëse do duhej të ndërmerrni masa dhe veprime të menjëhershme. Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave do duhej qe për vitin 2022 Komunën e Fushë Kosovës dhe Arsimin në këtë komunë ta vendosin në TOP-Prioritet. Duke ju referuar një raporti të besueshëm të GAP-it, vërejta se në një komunë ku rënia e numrit të nxënësve është për 42%, rritja e numrit të mësimdhënësve është për 22%. E kundërta ndodhë me komunën e Fushë Kosovës ku ka rënie të personelit arsimor, përderisa rritje të madhe të numrit të nxënësve. Në këtë rast vërehet qartë se Komuna e Fushë Kosovës ka nevojë për regrutim shtesë të stafit mësimdhënës, ku do duhej patjetër të merreshin në konsideratë edhe shërbimet përcjellëse në shkollë si pedagog, psikolog e staf mbështetës për fëmijët me nevoja të veçanta. Komuna e Fushë Kosovës duhet të bëjë të pamundurën që ta kthej vëmendjen e Qeverisë, kundrejt këtij problem shqetësues. Bashkëpunimi i ngushtë në mes të institucioneve lokale dhe atyre qendrore është imediat, i domosdoshëm dhe kërkohet reagim i menjëhershëm. Në të kundërtën edhe përkundër vullnetit e punës së jashtëzakonshme të mësimdhënësve dhe drejtuesve të këtyre shkollave cilësia e dëshiruar nuk do mund të arrihet. Pushtetet, përgjegjësitë dhe kompetencat e nivelit qendrorë dhe nivelit lokal sa i përket organizimit të arsimit parauniversitarë janë të ndara, por qëllimi për një arsim më të mirë e cilësi është e përbashkët.

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, shkollë kjo me numrin më të madh të nxënësve në klasa, në Republikën e Kosovës, bëjë thirrje për reagim të menjëhershëm, serioz e pa improvizime si domosdoshmëri për kalimin e kësaj situate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat