Aliu takon kryetarin e Qarkut Unna, Shtimes i dhurojnë një kamion për mbledhjen e mbeturinave

Kosova

Aliu takon kryetarin e Qarkut Unna, Shtimes i dhurojnë një kamion për mbledhjen e mbeturinave

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 10:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu është takuar me kryetarin e Qarkut Unna, Harmut Ganzke, ku janë dakorduar për dhurimin e një kamioni për mbledhjen e mbeturina për komunën e Shtimes.

Kryetari Aliu ka shkruar në Facebook se simbol i këtij ndërveprimi fillestar është dhurimi i një automjeti me kapacitet të lartë prej 26 tonelatash për mbledhjen e mbeturinave nga kompania më e madhe në Evropë - REMONDIS Group.

Postimi i plotë i kryetarit Aliu:

Me kontribut të shefit të deputetëve të SPD-së nga Qarku Unna z. Harmut Ganzke, me kënaqësi të veçantë takuam Kryetarin e Qarkut Mario Löhr dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të rajonit në ambientin madhështor të Kështjellës Opherdickes.

Në një tryezë të përbashkët, u dakorduam për fillimin e bashkëpunimit reciprok ndërkomunal mes institucioneve tona - një bashkëpunim që kurorëzohet me benefite shumëdimensionale për Komunën tonë.

Simbol i këtij ndërveprimi fillestar është dhurimi i një automjeti me kapacitet të lartë prej 26 tonelatash për mbledhjen e mbeturinave nga kompania më e madhe në Europë - REMONDIS Group, ku e takuam edhe drejtorin gjeneral të kësaj korporate, Patrick Wicker.

Për më tepër, pjesë e temave shtesë të dakorduara ishte intensifikimi i bashkëpunimit në fushën arsimore, sportive, artistike dhe kulturore, ku të rinjtë tanë posedojnë talent të jashtëzakonshëm dhe ku Qarku Unna do të ofrojë infrastrukturë për zhvillim të aftësive të të rinjve tanë.

Falënderoj sinqerisht deputetin Ganzke, kryetarin Mario Löhr, drejtorin Mike-Sebastian Janke dhe nënkryetarët e Qarkut, Martin Wiggermann dhe Wilhelm Jasperneite për pritjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar, nga i cili Komuna jonë do të ketë mundësi të shkëlqyeshme për progres në shumë fusha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat