​Kërkohet nga institucionet shtetërorë më shumë mbështetje për fëmijët me autizëm

Kosova

​Kërkohet nga institucionet shtetërorë më shumë mbështetje për fëmijët me autizëm

Më: 2 prill 2025 Në ora: 19:20
Foto nga vendngjarja

Më shumë mbështetje për personat me aftësi të kufizuar është kërkuar nga institucionet shtetërore me rastin e Ditës Botërore të Autizmit, raporton KosovaPress.

Në një diskutim në panel organizuar nga Europe House Kosova në bashkëpunim me OJQ “Autizmi”, dedikuar për ngritjen e vetëdijes dhe eksplorimin e zgjidhjeve për një përfshirje dhe mbështetje më të mirë për personat me autizëm në Kosovë, është theksuar edhe nevoja për një qendër e cila jep shërbime ditore e po ashtu të punojnë për të çuar përpara ligjin që do të rregullonte njëherë e gjithmonë çështjen ligjore të statutit të personave me aftësi të kufizuar.

Drejtoresha ekzekutive e shoqatës “Autizimi” në Prishtinë, Hatixhe Hoxha ka kërkuar nga institucionet shtetërorë që të ofrojnë më shumë mbështetje për fëmijët me autizëm.

Hoxha: Institucionet shtetërorë që të ofrojnë më shumë mbështetje për fëmijët me autizëm

"Shohim se shumëçka është bërë më mirë, megjithatë ato sfidat qe kemi kaluar disa kanë mbetur në të kaluarën e disa vazhdojnë me qenë sfida që na përcjellin sërish. Duke qenë të organizuar si prind, duke pas më shumë shërbime e shoqata po arrijnë prindërit të marrin informacione më shumë, këto po ndikojnë në trajnime me i sjellë fëmijët në mosha të reja. Ne jemi shoqata e autizimit ndër të parat në Kosovë dhe normalisht të gjithë bashkëthemeluesit kanë qenë persona të cilët kanë pasur fëmijët apo familjarët e tyre, tash ato janë mosha që janë adul dhe shteti ende nuk një qendër e cila jep shërbime ditore për adul...Sfidat më të cilat takohen prindërit janë ato sfidat të cilat gjithë përfshirja, mirëpo kur punojmë, d.m.th në momentin kur prindi merr një diagnozë, menjëherë kërkon rrugë tjera ku të gjejë zgjidhje për këto, nuk janë faza të lehta, por shpesh dinë me qenë në një udhëkryq...por le të jenë institucionet ato që mbështesin", tha Hoxha.

Ndërsa, ka thënë se në nivel vendi duhen ekipe shumë-funksionale, pasi siç tha ajo, ato nuk po janë.

Kryetari i forumit të aftësisë së kufizuar të Kosovës, Bekim Krasniqi tha se personat me aftësi nuk kanë trajtim të barabartë ligjor, për çka u bëri thirrje institucioneve të çojnë përpara ligjin gjithëpërfshirës.

Krasniqi: Ne vazhdimisht avokojmë për personat me aftësi të kufizuar në Kosovë

"Personat me aftësi të kufizuar në Kosovë, në përgjithësi, së pari nuk kanë trajtim të barabartë ligjor, që është sfidë në vete. Disa e kanë të rregulluar statusin ligjor disa jo, por edhe ata që e kanë ligjin disa, nuk është se ligji po gjen zbatim të plotë...Ne vazhdimisht po avokojmë dhe insistojmë që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë kjo çështje pasi që do të garantonte kontinuitet marrjes së shërbimeve dhe inkuadrimin e fëmijëve, të rriturve, gjithë personave me aftësi të kufizuar në jetën shoqërore, arsimore, punësim, pse jo të kalojmë edhe në kontribuues të shoqërisë dhe të mos jemi barra e shoqërisë. Bëj thirrje institucioneve të çojnë përpara ligjin gjithëpërfshirës që do rregullonte njëherë e gjithmonë çështjen ligjore të statutit të personave me aftësi të kufizuar", tha ai.

Në anën tjetër, mbikëqyrësja e punës terapeutike në Organizatën Joqeveritare "Asociacioni Nacional i Autizimit në Kosovë" (ANAK), Rrezarta Mahmutaj-Sadikaj tha se problematikë tjetër në këtë rrugëtim mbetet edhe mungesa e pjesës së asistentëve në shkolla.

Sadikaj: Kemi fokus gjithëpërfshirjen

"Kemi fokus gjithëpërfshirjen, mungon pjesa e asistentëve në shkolla, edhe trajnimet e këtyre asistentëve janë më shumë te pjesa e përgjithshme. Kjo po del të jetë problematika gjatë këtij rrugëtimi, sidomos gjatë fazave të adoptimit për shkak se duhet një qasje pak më specifike dhe profesionale të paktën të arrihen të menaxhohen disa problematika", tha Sadikaj.

Drejtoresha ekzekutive e "KOMF", koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, Donjeta Kelmendi tha se ofruesit e shërbimeve për fëmijët me autizëm nga sektori joqeveritar përballen me vështirësi të sfidave të qëndrueshmërisë së shërbimeve financiare

Kelmendi: Pjesa dërmuese e fëmijëve me autizëm shërbimet i marrin në kuadër të OJQ-ve

"Një ndër sfidat kryesore për fëmijët me autizëm, por edhe prindërit, familjet e tyre, njëkohësisht edhe për ofruesit e shërbimeve të fëmijëve me aftësi të kufizuar, me këtë rast fëmijët me autizëm është qëndrueshmëria financiare e shërbimeve. Pjesa dërmuese e fëmijëve me autizëm shërbimet i marrin në kuadër të organizatave joqeveritare, qendrave qoftë ditore apo të specializuara që ofrojnë këto shërbime në baza ditore. Këto janë shërbime që ndoshta për dallim për disa lloje tjera, të aftësisë së kufizuar, janë shërbime më intensive. Në këtë rast ofruesit e shërbimeve për fëmijët me autizëm nga sektori joqeveritar përballen me vështirësi të sfidave të qëndrueshmërisë së shërbimeve financiare, këto nuk ofrohen nga institucionet publike. Institucionet publike nuk kanë kapacitetet për të ofruar gjithë këtë gamë të shërbimeve...Mbështetja e cila ofrohet sado që ka pas rritje, sidomos në vitin 2025, ka një rritje të konsiderueshme të buxhetit, megjithatë buxheti që ndahet tek ofruesit është akoma larg përmbushjes së nevojave, shërbimeve dhe kërkesave të fëmijëve me autizëm dhe fëmijëve tjerë me aftësi të kufizuara", tha ajo.

Sot, për nder të Ditës Botërore të Autizmit, është mbajtur konferenca nga Zyra për Qeverisje të Mirë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat