Osmani: Gratë e Fushë-Kosovës meritojnë më shumë hapësirë dhe mbështetje reale

Kosova

Osmani: Gratë e Fushë-Kosovës meritojnë më shumë hapësirë dhe mbështetje reale

Më: 4 tetor 2025 Në ora: 20:21
Pamje nga takimi

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar sot një takim me gratë e një prej lagjeve të qytetit, ku u diskutua për sfidat me të cilat përballen çdo ditë dhe për mundësitë e fuqizimit të tyre në shoqëri.

Në një bashkëbisedim të hapur, Osmani dëgjoi nga afër idetë e grave lidhur me punësimin, mbështetjen ekonomike dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse lokale.

Ai theksoi se barazia gjinore dhe fuqizimi ekonomik i grave janë ndër prioritetet kryesore të programit të tij qeverisës për Fushë-Kosovën:

“Fuqizimi i grave nuk është vetëm çështje sociale, por edhe zhvillimore. Gratë janë shtylla e çdo familjeje dhe e çdo komuniteti. Synimi ynë është që asnjë grua të mos mbetet pa mundësi për punë, trajnim apo pjesëmarrje aktive në jetën publike,” u shpreh Osmani.

Sipas tij, përmes politikave konkrete për zhvillim ekonomik, arsim profesional dhe përfshirje të barabartë në institucione, Fushë-Kosova mund të shndërrohet në një komunë më gjithëpërfshirëse dhe me më shumë mundësi për të gjithë qytetarët.

“Ne duam një Fushë-Kosovë ku zëri i grave dëgjohet, respektohet dhe bëhet pjesë e vendimmarrjes për të ardhmen e qytetit tonë,” përfundoi Osmani në një postim në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat