Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka reaguar lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, duke thënë se pas 25 vjetësh pritje, kjo çështje është shndërruar në një proces konkret institucional.
Përmes një postimi, Shasivari ka mirëpritur qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski për vazhdimin e procesit dhe pritjen e mendimit të Komisionit të Venecias.
Ai ka theksuar se si ministër i Drejtësisë është i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore, kushtetuese dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet evropiane.
“Nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë barazi në mundësi, dinjitet në trajtim dhe respektim të standardeve profesionale”, ka deklaruar Shasivari.
Në fund, ministri ka theksuar se një çështje që ka pritur 25 vjet meriton zgjidhje dhe jo vazhdim të pritjes.