Shaban Tërstena me fjalë të mëdha për Driton Kukajn

Sporti

Shaban Tërstena me fjalë të mëdha për Driton Kukajn

Nga: K. G. Më: 25 prill 2025 Në ora: 15:55
Driton Kuka e Distria Krasniqi

Kampioni olimpik në vitin 1984 dhe nënkampionin olimpik në vitin 1988, Shaban Tërstena, shprehet me fjalët më të mira për trajnerin më të mirë të xhudos, Driton Kuka. 

Distria Krasniqi është kampione e Evropës në kategorinë – 52 kg.

“Mbani mend mirë, njëherë e përgjithmonë: Në sport nuk ka magji, ka vetëm djersë, sakrificë dhe punë pa fund.

Medaljet nuk i sjellin reklamat e as duartrokitjet boshe, as vetëlavdërimi nëpër mediumet.

Medaljet e arta olimpike, botërore dhe evropiane i sjellin legjendat, i sjellin sportistë me zemër luftarake, ata që zgjohen herët, punojnë në heshtje dhe nuk dorëzohen kurrë.

Si Driton Kuka, njeriu që nuk njeh fjalë të kota, që s’e di çfarë është pushimi, trajneri që me shpirtin e tij luftarak ka ndërtuar një komb të tërë kampionë fitimtarësh. Ai nuk flet shumë, punon dhe vetëm punon, ai nuk premton, ai prodhon kampionë dhe i ngjitet me ta në piedestal, aty ku shkruhet historia e artë e sportit kosovar.

Në Kampionatin Evropian të xhudos në Podgoricë, Kosova sërish u ngrit në majën e Evropës. Distria Krasniqi, vajza e artë, me shpirt të hekurt dhe zemër të zjarrtë, e fitoi për herë të tretë medaljen e artë evropiane.

Kjo është e vërteta e madhe e sportit...

Dhe për të tjerët, ata që ende besojnë se medaljet dhe sukseset e mëdha vijnë me propagandë. Historia e sportit nuk shkruhet me fjalë boshe, me reklama zbukuruese dhe lavdata boshe.

Ashtu ndërtohet vetëm një iluzion, ku në fund, zbulohet e vërteta, një gënjeshtër e madhe, e shtrenjtë dhe e turpshme.

Zgjohuni!

Nëse duani vërtet sukses dhe medalje botërore, evropiane duhet të ndryshoni strategjinë e juaj.

Të filloni me program me punë serioze dhe pa kompromis me sportistët e rinj, që janë e ardhmja e sportit e një kombit.

Mjaftë më nuk mund të jeni kampionë pa asnjë medalje, as evropiane, as botërore, as olimpike.

Nuk mund të mburresh se je më i miri, kur për 35 vjet vetëm flet dhe nuk keni prodhuar asnjë sukses.

S'kam më çka të shtoj. Urime Kosovë. Urime Distria. Urime legjendë Driton Kuka për medaljen e 10-të evropiane”, ka shkruar Tërstena.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat