Mimoza Shkodra: E ardhmja është edhe në fushë, dhe jo vetëm në bankë shkollore

Sporti

Mimoza Shkodra: E ardhmja është edhe në fushë, dhe jo vetëm në bankë shkollore

Më: 1 korrik 2025 Në ora: 11:47
Kejsan Bislimi, talent i futbollit

Ish reprezentuesja e Kosovës në vokejboll, profesoresha Mimoza Shkodra, jep disa të dhëna domethënëse për fëmijët që merren me sport..

Prof. Shkodra ka treguar edhe disa statistika interesante.

“Në kohën kur fëmijët kalojnë më shumë kohë para ekranit sesa në natyrë, kur suksesin e masim me nota e jo me vlera, është koha të bëjmë një rikthim rrënjësor në mendësinë tonë arsimore dhe shoqërore. 

A është vërtet banka shkollore e vetmja që i përgatit fëmijët për të ardhmen, apo është fusha vendi ku mësojnë të humbin, të fitojnë, të bashkëpunojnë, të ringrihen?

Shkenca flet qartë. Studimi i Ratey & Hagerman (2008) argumenton se aktiviteti fizik rrit nivelin e BDNF (brain-derived neurotrophic factor), që është thelbësor për zhvillimin e trurit dhe ruajtjen e kujtesës. “Sporti është si pleh për tru”, thotë Dr. John Ratey nga Harvard Medical School. Ai thekson se fëmijët aktivë fizikisht kanë përqendrim dhe sukses më të lartë në mësime. 
Po ashtu, studimi i Singh et al., 2020 në “Lancet Child & Adolescent Health” tregon se fëmijët që merren rregullisht me sport kanë më pak simptoma depresive dhe zhvillojnë më mirë aftësitë sociale.

Në Finlandë, vendi me një prej sistemeve më të mira arsimore në botë, çdo orë mësimore pasohet me 15 minuta lojë jashtë. Rezultati? Nxënës më të shëndetshëm, më të lumtur dhe më të suksesshëm në aspektin akademik!

Ndërkohë në Ballkan, dhe veçanërisht në Kosovë, lënda e Edukatës Fizike në shkolla trajtohet ende si “lëndë pushimi”. Në raportin e UNICEF (2022) mbi mirëqenien e fëmijëve në Kosovë, thuhet se vetëm 38% e nxënësve ushtrojnë aktivitet fizik mbi 3 herë në javë. Kjo lidhet ngushtë me rritjen e obezitetit, problemeve psikologjike dhe mungesës së vetëbesimit.

Sporti nuk është luks, por nevojë. Ai është një mësues i heshtur, por i fuqishëm. Në fushë, mësohet:  
- durimi,  
- përgjegjësia,  
- disiplina,  
- bashkëpunimi dhe 
- si të ngrihesh pas dështimit etj.

Sipas “Journal of Sport and Health Science” (2023), fëmijët që marrin pjesë në sport që nga mosha e hershme kanë më pak mundësi të bien pre e varësisë digjitale, të zhvillojnë çrregullime të të ngrënit apo të përballen me ankth dhe depresion.
Pra, a do të vazhdojmë të i bëjmë "lavdi" vetëm ditarit dhe notës 5, apo do t'i japim hapësirë zhvillimit të plotë të fëmijës si atij emocional, fizik, social dhe moral?

Një fushë është një klasë në natyrë. Një ekip është një mikroshoqëri. Një ndeshje është një leksion mbi jetë.

Të edukosh një fëmijë nuk do të thotë ta mbash të ulur, por ta ndihmosh të ngrihet.

Dhe mos harroni: E ardhmja qëndron edhe në fushë, dhe jo vetëm në bankën shkollore!”, ka shkruar profesoresha Shkodra.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat