Ka ndërruar jetë togerja e policisë së Kosovës, Syzana Krasniqi – Jupa!
Syzana ka qenë edhe anëtare e klubit të karatesë Fituesi nga Ferizaj.
Trajneri i KK Fituesit, Bajram Bajrami, ka shkruar se e ndjera ka qenë një kohë edhe anëtare e kryesisë së KK Fituesit.
“Lamtumirë me nderim, Syzana Krasniqi!
Sot morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Syzana Krasniqit – ish anëtare e kryesisë së Klubit të Karatesë “Fituesi” dhe togere e Policisë së Kosovës.
Me zemër të thyer, por me plot mirënjohje, e kujtojmë si një grua të guximshme, të përkushtuar dhe me zemër të madhe, e cila dha kontribut të çmuar si në sport, ashtu edhe në shërbim të vendit.
Falënderojmë Syzanën për çdo moment, çdo mbështetje dhe çdo vlerë që na la pas. Urojmë që udhëtimi yt në botën tjetër të jetë i ndriçuar dhe i qetë.
Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e deshën. Kujtimi yt do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona.
Pushofsh në paqe”, ka shkruar Bajrami.
Trajneri i KK Lybetenit, Raif Musa, ka shkruar: “Lamtumirë, Syzana! Sa shpejtë ike...
Ti ishe zëri i pajtimit kur Kosova digjej, ishte guximi yt që sfidoi ndjekjen, burgun, frikën.
Ti veshe uniformën me nder dhe e ruajte atdheun si nënë që mbron fëmijën e saj.
E tani më, ti nuk je më mes nesh… por emri yt do të mbetet gjallë, si një këngë për trimërinë dhe dashurinë ndaj Kosovës.
Pusho në paqe, Togere Syzana Jupa-Krasniqi".