Astrit Hasani, shqiptari që theu kufijtë e sportit evropian tregon rrugën e suksesit

Sporti

Astrit Hasani, shqiptari që theu kufijtë e sportit evropian tregon rrugën e suksesit

Më: 7 dhjetor 2025 Në ora: 12:26
Astrit Hasani

Astrit Hasani, njeriu që sot udhëheq Federatën Evropiane të Peshëngritjes, duke u bërë shqiptari i parë që drejton një federatë ndërkombëtare, ka rrëfyer jo vetëm ngritjen e tij drejt majës së një institucioni prestigjioz sportiv, por edhe historinë e një ambicieje që e ka shtyrë të thyejë barriera për shqiptarët në arenën ndërkombëtare.

Ai në një intervistë për KosovaPress, flet për bashkëpunimin me figura të kalibrit botëror si presidentin e Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer, për sfidat që e shoqërojnë zhvillimin e peshëngritjes në Kosovë dhe për misionin e tij personal që t’u hapë dyert profesionistëve kosovarë dhe t’i motivojë ata të marrin rol vendimmarrës në federatat më të mëdha sportive të globit.

Hasani tregon për zgjedhjet në të cilat ai u shpall president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes dhe ndjesinë e të qenit shqiptari i parë në krye të një federate kontinentale të një sporti olimpik.

Hasani: Jam shqiptari i parë në botë që merr drejtimin e një federate evropiane

"Thjeshtë erdhi koha që duke punuar shumë të kandidoj për president të Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Edhe pse i kam pasur gjashtë kandidat, në fund erdhi puna që vetëm me dy kandidatë ta vazhdoj garën, italianin Antonio Coonflicti dhe unë dhe kam fituar 24 me 19 me vota të fshehura në mënyrë demokratike. Ka qenë një satisfaksion (gëzim) shumë i madh por besoj që e kam bërë krenar edhe shtetin e Kosovës dhe Shqipërinë për shkak se jam shqiptari i parë në botë që kam arritur të bëhem lider i një federate evropiane dhe kontinentale të një sporti olimpik siç është peshëngritja", thekson Hasani.

Hasani shpalos detaje nga takimi me presidentin e Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer, dhe se si ai e ka ndihmuar ta njohë strukturën profesionale të një federate model.

Hasani: Ne e kemi një xhudo të fortë

"Ëizeri si një lider që për mua është numri një në botë për shkak të kredibilitetit, për shkak të seriozitetit dhe organizimit të shkëlqyeshëm që i ka bërë Federatës Botërore të Xhudos, më ka ftuar në takim, kjo është hera e dytë pas takimit në Budapest. Në këtë takimin e fundit në Abu Dhabi për tre ditë radhazi më ka njoftuar me të gjithë drejtorët e departamenteve të ndryshme brenda Federatës së Xhudos, duke përfshirë departamentin e protokollit që njihet për protokollin më të organizuar në botë që e bënë Marius Ëizer, për Xhudo Tv, për data bazën e sportistëve, për të gjitha të tjerat duke filluar prej bexhave, në mënyrë që ta implementoj brenda Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Kam mësuar shumë, i jam mirënjohës jashtëzakonisht shumë, mirëpo kjo është për shkak se ne e kemi një xhudo të fortë", tregon fillimisht Hasani.

Hasani flet edhe për dëshirën e tij që shembulli i tij të shërbejë si motivim për profesionistë të tjerë nga Kosova që të angazhohen në federata evropiane dhe botërore.

Hasani: Dua t'i inkurajojë të tjerët nga Kosova që të marrin përgjegjësi në federata ndërkombëtare

"Kudo që shkoj tregoj që Kosova ka njerëz të zgjuar, ka njerëz që investojnë, që punojnë shumë edhe që kur e japin fjalën, e mbajnë fjalën dhe i realizojnë të gjitha premtimet. Unë besoj që ua kam hapur derën edhe shumë kolegëve të mi në federata të tjera përkatëse për shkak se nëse unë jam i suksesshëm dhe nëse i keni përcjell mediat ndërkombëtare, jam deri më tani lideri më aktiv evropian...Unë jam duke i ndihmuar tani kolegëve të tjerë që këta persona t'i motivoj edhe kolegët nga Kosova që të marrin përgjegjësi edhe në federatat evropiane dhe botërore. Madje kjo vizitë që ishte tek lideri Ëizer ishte shumë e rëndësishme për shkak se kryetarët e federatave të tjera evropiane më pyesnin për afërsinë që kam me të", vijon tutje Hasani.

Kreu i peshëngritjes evropiane foli edhe për sfidat brenda Kosovës, sidomos mungesën e një sistemi të vendosur antidoping, që e vështirëson edukimin e sportistëve dhe seleksionimin korrekt në sportin e peshëngritjes.

Hasani: Peshëngritja në Kosovë e ka një hendikep

"Ne kemi aktivitet edhe këtu. Kjo do të ndikojë që të masovizohet edhe më shumë si sport por ne vetëm e kemi një hendikep për shkak se fatkeqësisht peshëngritja armikun kryesor e ka dopingun për shkak se ndikon shumë marrja e substancave në ngritjen e peshave dhe duke qenë të hendikepuar që nuk kemi se ku t'i bëjmë këto teste të antidopingut, jemi shumë të kujdesshëm në selektimin dhe nëse fillojmë të dyshojmë diçka tek një sportist që është duke marrë ndonjë substancë të palejuar, e thërrasim prindin dhe shikojmë se si ta zgjidhim problemin sepse vetëm për masovizim ne mund t'i marrim nëpër fitnese dhe mund t'i bëjmë 1000 persona brenda një muaji por nuk është ideja aty. Ideja është që të ushtrohen njerëz të cilët janë vetëm në peshëngritje, do të thotë në teknikën e shtytjes dhe atë të shkëputjes" thotë në fund Hasani.

Astrit Hasani është emëruar president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes më 11 prill 2025. Zgjedhja e tij u bë në Kongresin Zgjedhor të EWF që u mbajt në Chisinau (Moldavi). 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat