Hajrizi: Ka raste kur bie performanca për shkak se trupi ligështohet

Sporti

Hajrizi: Ka raste kur bie performanca për shkak se trupi ligështohet

Më: 15 shkurt 2026 Në ora: 12:37
Basketbollisti i Trepçës Drilon Hajrizi

Muaji i Ramazanit për shumë sportistë profesionistë paraqet një sfidë të dyfishtë: përkushtimin shpirtëror dhe ruajtjen e performancës në nivel të lartë. Megjithatë, përvojat e basketbollistëve, futbollistëve dhe ekspertëve të ushqimit, tregojnë se me planifikim të duhur, disiplinë dhe mirëkuptim nga klubet, agjërimi nuk është pengesë për suksesin sportiv. Përkundrazi, në disa raste ai shndërrohet në motiv shtesë dhe në një mënyrë për ta forcuar edhe më shumë vetëkontrollin fizik e mendor.

Basketbollisti i Trepçës Drilon Hajrizi thotë për KosovaPress, se për një sportist ushqyeshmëria është shumë e rëndësishme, andaj gjatë muajit të Ramazanit duhet konsumuar ushqim me më shumë kalori.

Hajrizi: Gjatë Ramazanit ndihem edhe më lehtë se jashtë tij

“Ushqyeshmëria është një prej gjërave më të rëndësishme për të pasur një karrierë ose një jetë sa më sportive dhe sa më të suksesshme. Sa i përket mua si Drilon, gjatë Ramazanit, me të vërtetë, them me plot kuptimin e fjalës që ndihem, mos ta ekzagjeroj shumë, po ndoshta edhe më lehtë se jashtë Ramazanit për arsye se mundohem që ushqimi të jetë shumë më kalorik dhe më specifik, domethënë që të mos ta kem ushqimin çfarëdo, po ta kem shumë kalorik dhe ta kem domethënë në kohë të caktuar”, thotë Hajrizi.

Hajrizi bën të ditur se ka pasur raste kur performanca ka rënë për shkak të lodhjes së trupit.

Hajrizi: Ka raste kur bie performanca për shkak se trupi ligështohet

“Ka ndodhur me raste edhe që ka ra, por ka ndodhur edhe raste të cilat me të vërtetë jam ndjerë shumë më mirë. Për arsye se kam qenë më i lehtë në lëvizje, kam qenë më i freskët. Por ka ndodhur edhe raste të cilat me të vërtetë trupi është lig”, bën të ditur Hajrizi.

Basketbollisti i Trepçës tregon se në të kaluarën ka pasur presion nga disa trajnerë që kanë kërkuar të mos agjërojnë.

Hajrizi: Ka pasur trajnerë që kanë kërkuar të mos agjërojmë

“Në të kaluarën që kemi pasur edhe presion prej trajnerëve të ndryshëm të cilët nuk e kanë këtë ndjeshmëri ose nuk e kanë këtë praktikë, që të na bëjnë të ndryshojmë mendjen, por ia kemi dalë me bisedë edhe me angazhim të cilin e kemi bërë në fushë, ia kemi bërë me dije që në të vërtetë kjo nuk na ndikon, por ne edhe përkundër asaj që jemi agjërueshëm, ndihmojmë ekipin edhe kontribuojmë në skuadër për suksese”, theksoi Hajrizi.

Edhe futbollisti i “Prishtinës”, Albin Krasniqi shprehet se për të agjërimi nuk paraqet problem dhe madje ndihet më mirë gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, trajnerët kanë treguar vazhdimisht mirëkuptim dhe komunikimi me klubin ka qenë i hapur, duke mos e ndjerë këtë aspekt si pengesë në angazhimin e tij sportiv.

Krasniqi: Trajnerët na mirëkuptojnë për pjesën e agjërimit

“Për mua, nuk e di për të tjerët, por për mu nuk është që ndikon, madje më mirë ndihem kur jam agjërueshëm se kështu. Për mu nuk është problem...Normal, ndryshon pak, jemi në kontakt edhe me trajnerët e klubit, por kështu normal është mirë, nuk është që e ndjejmë shumë atë pjesë...Unë e ndjej veten mirë edhe trajnerët gjithmonë kanë qenë të mirëkuptueshëm në këtë aspekt”, deklaroi Krasniqi.

Nga ana profesionale, nutricisti Nderim Rexhepi sjell argumente shkencore për ndikimin e agjërimit te sportistët. Ai referon studime të realizuara nga FIFA të cilat tregojnë se diferencat në rendiment mes muajve me dhe pa agjërim janë minimale.

Rexhepi: Studimet e FIFA-s tregojnë që agjërimi nuk e ul rendimentin e sportistëve

“Sipas disa studimeve që u bënë në FIFA edhe sipas studimeve që janë bërë në Federatën Elitare Ruse, ka ndodhë që në një sportist që agjëron gjatë muajit të Ramazanit, ka shumë pak, jashtëzakonisht pak ka pasur diferenca prej muajit që nuk agjëron. Tani çka duhet nënkuptuar nga kjo? Kuptohet që duhet nënkuptuar që nuk është që kjo që po foli, ka pasur dallim shumë të vogël për shkak se ai pasi iftarit ka pasur një kujdes shumë të veçantë. I ka kushtuar rëndësi hidratimit, i ka kushtuar rëndësi të marrjes së makro-mikronutrientëve në sasi të caktume, vitamina dhe minerale”, thotë nutricisti Rexhepi.

Ai tregon se çfarë duhet të konsumojnë sportistët për ta ruajtur energjinë që iu nevojitet në aktivitetet e tyre.

Rexhepi: Hurmet dhe lëngjet janë të domosdoshme për sportistët gjatë Ramazanit

“Në këtë rast te sportistët është mirë të fillojnë me tre-katër hurme edhe ujë. Pse hurmet? Për shkak se organizmi në kohën e iftarit e ka hargjuar të gjithë glikogjenin dhe glukozën që ka në gjak. Ai veç ka filluar në katabolizmin e yndyrave. Kur merren hurmet, rritet sheqeri në gjak, menjëherë fillon glukoza rritet në gjak, edhe kthehet energjia. Për shkak se vërehet që humbet energji shumë e madhe edhe tash rikthehet energjia. Hidratimi duhet të bëhet gjithsesi, nuk duhet të ndalet, hidratimi nuk duhet të ketë rënie asnjë pikë, duhet t'i kushtohet kujdes dhe rëndësi të veçantë. Tashti puna e hidratimit duhet të dihet edhe çka të pihet. Gjithmonë nëse është bërë aktiviteti fizik para iftarit duhet të merren lëngje të pemëve për shkak se kripërat minerale që i kanë humbur gjatë djersitjes, ato i kthejnë menjëherë”, shton tutje Rexhepi.

Sa i përket stërvitjes, eksperti sugjeron që trajnerët të tregojnë mirëkuptim dhe të përshtasin programin. Një ulje e lehtë e intensitetit dhe zgjedhja e kohës së duhur për stërvitje, si për shembull dy ose tre orë pas iftarit, mund të jenë strategji efektive. Kjo i jep atletit kohë të mjaftueshme për t'u hidratuar dhe ushqyer, duke mundësuar një performancë më të mirë.

Mesazhi për trajnerët dhe klubet sportive është i qartë: nuk ka nevojë t'i ndalojnë sportistët të agjërojnë. Përkundrazi, me mbështetjen dhe planifikimin e duhur ushqimor, atletët mund të përmbushin detyrimet e tyre. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat