Kombëtarja e Zvicrës në hokej ka pësuar humbjen e tretë radhazi në turneun Euro Hockey Tour, që po zhvillohet në Helsinki të Finlandës.
Pas humbjes 1:3 nga Finlanda dhe 2:4 nga Suedia, zviceranët janë mposhtur edhe nga Çekia me rezultat 2:4.
Pavarësisht se Zvicra e mbylli periudhën e parë në epërsi 2:0, nuk arriti ta ruante avantazhin dhe në fund pësoi një tjetër disfatë.
Në minutën e 9-të, Axel Simic kaloi Zvicrën në epërsi 1:0, pas një aksioni të bukur të nisur në bashkëpunim me Keanu Derungs.
Në minutën e 19-të, Jan Schwendeler dyfishoi epërsinë në 2:0, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e kombëtares zvicerane.
Megjithatë, periudha e dytë ishte krejtësisht në favor të çekëve. Në minutën e 26-të, Michal Kunc ngushtoi rezultatin në 2:1, ndërsa Libor Zabransky barazoi shifrat në 2:2 në minutën e 37-të.
Çekia vazhdoi presionin edhe në periudhën e fundit dhe në minutën e 51-të, Ondrej Kovarcik realizoi përmbysjen e madhe, duke kaluar skuadrën e tij në epërsi 3:2.
Në fund, çekët shënuan edhe golin e katërt në portën e zbrazët, duke vulosur fitoren me rezultat 4:2.
Kështu, Zvicra e mbyll këtë turne me tri humbje në tri ndeshje dhe pa asnjë pikë, me gol-dallim 5:11.
Në ndeshjen tjetër të së dielës, Finlanda mposhti Suedinë me rezultat 3:2 dhe e fitoi turneun me tetë pikë nga tri ndeshje.
Ndeshjet e radhës
Grumbullimi i ardhshëm i kombëtares zvicerane do të jetë në dhjetor, për turneun që do të mbahet nga 10 deri më 13 dhjetor në Cyrih-Altstetten. Zvicra do të përballet sërish me Suedinë, Çekinë dhe Finlandën.