Kush do të triumfojë në qytetin e futbollit, Gjilani apo Drita?

Futboll

Kush do të triumfojë në qytetin e futbollit, Gjilani apo Drita?

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 11:00
Foto ilustrim

Të gjithë e presin me padurim derbin e Gjilanit, pavarësisht se mospjesëmarrja e tifozëve zbeh sadopak hijeshinë e kësaj ndeshje.

Sot zhvillohet derbi numër 34 kampional pas luftës ndërmjet Gjilanit dhe Dritës dhe i 40-ti në të gjitha garat.

Në 33 derbi të zhvilluar në kampionat, Drita ka 12 fitore, derisa Gjilani ka 10 sosh. 11 ndeshje janë ndarë me barazim.

Rezultati më i thellë ndërmjet këtyre dy skuadrave mbetet ai i sezonit 2002/03, kur Drita (shpallej kampion për herë të parë), dy javë para se të përfundonte kampionati, kishte mposhtur Gjilanin 1-6. Ekipi që simpatizohet nga ‘Skifterat’ ishte paraqitur në këtë ndeshje me lojtarë juniorë.

Që nga kjo ndeshje e deri më tani, rivaliteti mes dy skuadrave është përshkallëzuar. Tashmë fitorja është e domosdoshme për të dyja ekipet.

Në edicionin 2010/11 derbi për herë të parë u luajt në Ligën e Parë, derisa dy përballjet u mbyllën me rezultat 0-0.

Kur jemi te rezultati 0-0 duhet theksuar se është epilogu me të cilin kanë përfunduar më së shumti derbit, gjithsej shtatë herë.

Gjithashtu derbi nuk u zhvillua në 7 edicione për shkak se njëra apo tjetra skuadër ishte në një rang më të ulët të garave.

Në Kupë, Drita është bindëse ndaj Gjilanit. Të parët kanë pesë fitore kundrejt dy të Gjilanit.

Statistikat e përgjithshme të 39 derbive të pasluftës:

Drita: 17 fitore
Barazime: 10 ndeshje
Gjilani: 12 fitore (prej tyre, dy me rezultat zyrtar)

Golaverazhi nga 33 derbi të pasluftës:

Drita: shënoi 54 gola (minus një gol i hequr me rezultat zyrtar)
Gjilani: shënoi 42 gola (prej tyre, 6 të dhëna nga rezultatet zyrtare)

Ndërkohë, këtë sezon diferenca mes të dyja klubeve është katër pikë. Drita vijon të jetë në luftë për titull, teksa mban vendin e dytë me 27 pikë, pesë më pak se Ballkani që ka 32, e që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Gjilani, që ka një ndeshje më shumë se Drita, është në vendin e katërt me 23 pikë.

Se cili do të jetë epilogu final i kësaj sfide na duhet të presim pas përfundimit të ndeshjes, me shpresë që mungesën e tifozëve t’a ‘largojë’ sadopak loja e bukur e të dyja ekipeve.

Ndeshja e sotme nis nga ora 13:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat