​Sokoli: Niveli i Superligës është rritur shumë, Gjilani synon dy-tre vendet e para

Futboll

​Sokoli: Niveli i Superligës është rritur shumë, Gjilani synon dy-tre vendet e para

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 10:20
Trajneri i ri i skuadrës së Gjilanit, Bylbyl Sokoli

Trajneri i ri i skuadrës së Gjilanit, Bylbyl Sokoli, e ka bërë të qartë se skuadra që ai e ka marrë në udhëheqje, Gjilani, është shumë e vendosur që në këtë edicion garues të Superligës së Kosovës, të renditet në dy-tre vendet e para.

Sokoli debutoi me një fitore të thellë prej 4-0, ndaj skuadrës së Ballkanit në Suharekë dhe kjo i ka dhënë kurajo dhe besim trajnerit për të synuar diçka më shumë.

Sokoli në një intervistë, ka thënë se skuadra që ai drejton ka udhëheqësi të shkëlqyeshme në të gjitha aspektet dhe se aty ku ka kushte, rezultatet nuk do të mungojnë.

Sokoli: Gjilani synon dy-tre vendet e para në Superligën e Kosovës

"Unë vazhdova punën aty ku ka punuar kolegu im i respektuar kuptohet. Me ata djelmosha kemi arritur ta mobilizojmë ekipin dhe të zhvillojmë një ndeshje shumë të disiplinuar në Therandë dhe atje u prezantuam shumë mirë. Patëm fat që ndeshja të shkoj si është më së miri për ne dhe fituam takimin. Takim shumë të rëndësishëm i cili na jep shpresë se mund të luftojmë për dy, tri vendet e para edhe pse diferenca mes të parit dhe neve është shumë e madhe, është 12 pikë të cilat për një kampionat janë jashtëzakonisht shumë.....Por unë jam optimist që Gjilani do të ketë përmirësime edhe në të ardhmen, kemi Presidentin dhe udhëheqësin shumë të shkëlqyeshme, shumë të mirë në të gjitha aspektet, prandaj aty ku ka kushte nuk besoj se do të mungojë edhe rezultati.", tha Bylbyl Sokoli.

Trajneri i Gjilanit gjithashtu, ka deklaruar se niveli dhe cilësia e Superligës së Kosovës, është duke u rritur dhe se ndërmjet klubeve është krijuar një konkurrencë shumë e fortë edhe përkundër problemeve që solli pandemia Covid-19.

Sokoli: Niveli i futbollit kosovar është rritur shumë

"Kosova është në ngritje e sipër të cilësisë. Kosova edhe e ka përmirësuar mjaftë infrastrukturën e që ende nuk është e mjaftueshme kjo, nevojitet shumë më tepër, por është shumë e qartë që ekipi ynë, gjegjësisht kampionati ynë ka shënuar ngritje e sipër edhe përkundër pandemisë... Ekipet tona kanë bërë transfere shumë të shtrenjta në këtë afat kalimtar dhe kanë krijuar një konkurrencë shumë të fortë brenda për brenda klubeve..... Unë pres që të ketë edhe më shumë investime, edhe më shumë mobilizim...që kur të dalim në Evropë të kalojmë bile dy, tri xhiro sepse është e nevojshme.", shtoi më tutje Sokoli.

Në fund, Sokoli ka komentuar edhe mbi shortin e Kombëtares së Kosovës në futboll për Kampionatin Botëror 2022 ku “Dradanët”, të drejtuar nga Bernard Challendes, do të ballafaqohen me skuadra të fuqishme si Spanja e Suedia.

Ai ka pranuar se rivalët e Kosovës janë shumë të fortë por që nëse luajmë me skuadrën e plotë, do të kemi shpresa për rezultate pozitive.

Sokoli: Nëse luajmë më skuadrën e plotë, mund të marrim rezultate pozitive në kualifikimet për në Kampionatit Botëror “Katar 2022”

"Është vështirë të parashikohet ajo renditja tabelare, por ne e dimë që nuk kemi luajtur me Spanjën dhe me Suedinë kurse me Greqinë kemi zhvilluar gara. Unë po them kundër Spanjës dhe Suedisë do të kemi një ballafaqim i cili nuk na favorizon shumë, por jam i sigurt që nëse Përfaqësuesja e Kosovës vjen me të gjithë futbollistët që janë në formë më të mirë dhe të gjithë futbollistët të cilët luajnë në ekipet më të mëdha siç është Rrahmani, Muriqi, Rashica...... unë mendoj se do të kemi ekip i cili do të ketë, do të na jep shpresa për ndonjë rezultat të favorshëm, por duhet pranuar se këto ekipe sidomos Spanja, Suedia edhe Greqia janë në ranglistë shumë më lartë se që është Kosova. Janë ekipe shumë cilësore, janë ekipe të cilët kanë në mesin e tyre futbollist te shquar nëpër shumë klube me nam, prandaj janë favorit por ne në këtë pjesë duhet kërkuar prezantim ndeshje pas ndeshje, jo të mendojmë për Greqinë para se me lujtë me Greqinë, jo te mendojmë për Spanjën derisa luajmë me Greqinë e kështu me radhë, por kjo nuk ka ndodhur sepse kemi përzgjedhës me përvojë dhe kam bindjen se ekipi ynë do të dijë të mobilizohet ndaj këtyre kundërshtarëve të fuqishëm", tha Sokoli.

Në renditjen tabelare të Superligës së Kosovës, skuadra e Bylbyl Sokolit, renditet në vendin e katërt me 29 pikë të mbledhura, dy më pak se Prishtina në vendin e tretë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat