Shaip Grainca - lojtar dhe gjyqtar i Gjeneratës së Republikës, tregon se si u kërcënua nga milicia serbe

Futboll

Shaip Grainca - lojtar dhe gjyqtar i Gjeneratës së Republikës, tregon se si u kërcënua nga milicia serbe

Nga: Kemajl Goca Më: 2 maj 2021 Në ora: 19:59

Të jesh gjyqtar në vitet e 90-ta (1991-1999), ka qenë rrezikshmëri e lartë dhe vazhdimisht ishin të kërcënuar nga pushtuesi serb.
Shaip Grainca i takon Gjeneratës së Republikës, fillimisht si futbollist (1992-1993) i Tefik Çangës nga Tërrni i Ferizajt, pastaj si gjyqtar i futbollit. 

Ai përjetoi tortura të llojllojshme nga regjimi serb.

 “Fillimisht isha futbollist dhe kapiten i ekipit Tefik Çanga, atëkohë ligat ishin të ndara në katër grupe, ne bënin pjesë në grupin e rajonit të Ferizajt. 

Në vitin 1993, emrat e mëdhenj të referimit, Ismet Shurdhani dhe Shinasi Berisha (tani i ndjerë), me thanë: Shaip, ju lëreni lojën aktive, ejani në referim dhe i dëgjova”, tregon Grainca për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Grainca disa herë u sulmua nga regjimi serb. 

“Tre raste mund t’i veçojë, si lojtar me Tefi Çangën, luanim me Vjosën në Tërrn, erdhën milicia serbe e Babushit dhe mu e Muhamet Avdylin na sulmuan. 

Muhametit ia dhanë një shuplakë e mu disa herë me goditën me shufra gome rreth këmbëve. Unë isha kapiten i ekipit. 

Rasti tjetër, në ndeshjen në Davidovc të Shtimes mes Vjosës dhe Tefik Çangës, aty u kanë vëzhgues Abdurrahim Islami. Prapë me morën mu.

Milicia me thanë, dhjetëshat e të dy ekipeve, shkoni e hiqni rrjetat, Islamin e morën në stacion e sa e di e kanë rrahur.
Rasti i tretë, ishte kur unë me Zymer Berishën, Sali Metushin, na ndalën milicia serbe në punktin për në Gjakovë. Na kërcënuan: Do ta përpini pipin e referimit. Fati ynë erdh dikush dhe na u drejtua: Ku  jeni dajë? Ai e kishte prurë një gajbe me birra dhe suxhuk, ndërsa milicia menduan që përnjëmend jemi sebep me ta, e na liruan.  Një rast më kujtohet në ndeshjen mes Vjosës dhe Opojës, na i ndërprenë ndeshjen. Unë isha refer dhe ata me thanë: Shko paguaj qebaptore nëse do me shpëtuar, as paratë (mëditja) nuk me dolën, u desh hua mi marrë”, kujton Grainca atëkohë. 
Grainca deri në vitin 2009 ka qenë refer aktiv, tani është vëzhgues i futbollit. 
Ai ndihet krenar që i takoi gjeneratës së sakrificës dhe që dha shumë për futbollin Kosovës në vitet më të vështira.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat