Luhet faza play-out, ja ekipet që bien nga kategoria

Futboll

Luhet faza play-out, ja ekipet që bien nga kategoria

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 11:09
Luhet faza play-out, ja ekipet që bien nga kategoria

Janë zhvilluar ndeshjet e fazës play-out për Kategorinë Superiore U-13 dhe U-15 këtë fundjavë, duke u përcaktuar edhe ekipet që do të bien nga kategoria për këtë sezon.

Në kampionatin e Kategorisë Superiore U-13, Akademia e Futbollit dhe Ak.Shqiponjat do të vijojnë të qëndrojnë në këtë kategori edhe në këtë edicion futbollistik, ndërkohë që Luftëtari dhe Elbasani do të bien nga kategoria.

Akademia e Futbollit siguroi qëndrimin në Superiore pas një fitoreje 2-0 kundër Luftëtarit, të cilët pavarësisht se humbën, zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë. Fraksioni i parë i lojës u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në pjesën e dytë, kryeqytetasit kaluan në avantazh me Lamën në minutën e 68-të të takimit, ndërsa dy minuta më vonë shënon edhe Vogli, i cili vulos edhe rezultatin për kryeqytetasit.

Në ndeshjen tjetër mes Ak. Shqiponjës dhe Elbasanit, ishin Shqiponjat ata të cilët buzëqeshën në fund, pas një fitoreje minimale 1-0, me një gol të shënuar nga Morina që në minutën e 28-të të takimit. Elbasanllinjtë krijuan disa herë raste të pastra, por nuk ia dolën të finalizonin, duke rënë kështu nga kategoria.

Në kampionatin e Kategorisë Superiore U-15, dy ekipet që siguruan qëndrimin në elitë janë Besa dhe Ak.Shqiponjat, ndërsa Luftëtari dhe Bylis do të bien nga kategoria.

Dy sfida të mbushura me emocione të mëdha dhe shumë gola prodhoi kjo fazë e këtij kampionati. Besa mundi me rezultatin 3-1 Luftëtarin. Për kavajasit shënoi dy herë Mehdihoxha në minutën e 9-të dhe 21-të, ndërsa në minutën e 17-të shënoi edhe Ahmeti. Gjirokastritët ngushtuan rezultatin me Devollin në minutën e 27-të, por skuadra e Besës e ruajti rezultatin dhe do të vazhdojë të qëndrojë në elitë edhe për këtë edicion.

Një tjetër ndeshje emocionuese u zhvillua në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz mes Ak.Shqiponjat – Bylis. Ishin mallakastriotët ata të cilët kaluan të parët në avantazh që në minutën e 17-të të takimit, por epërsia zgjati vetëm pak minuta, teksa në të 29-tën Shahinaj barazoi rezultatin.

Në fraksionin e dytë të lojës, Ak.Shqiponjat marrin kësaj radhe avantazhin, teksa Shahinaj shënon sërish, duke goditur saktë një 11 metërsh të fituar, ndërsa i kundërpërgjigjet sërish Bregasi me një gol të shënuar 5 minuta më vonë, duke barazuar rezultatin. Koha e rregullt mbyllet në barazim 2-2, me skuadrat që i drejtohen penalltive, ku ekipi i Ak.Shqiponjave tregohet më i saktë, duke vijuar kështu qëndrimin në Superiore, ndërsa mallakstriotët do të bien nga kategoria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat