Arbon Desku kërkon një tryezë: Shpresoj se këtë vit turneu Rama - Domi do të riaktivizohet 

Futboll

Arbon Desku kërkon një tryezë: Shpresoj se këtë vit turneu Rama - Domi do të riaktivizohet 

Më: 20 korrik 2021 Në ora: 16:46
Arbon Desku

Çudi se si në vitet e pasluftës, sidomos në vitet e fundit janë lënë në harresë emrat e mëdhenj të sportit të Republikës së Kosovës, nuk organizohen turnetë përkujtimorë.

Ditë me parë, legjenda e futbollit, ish portieri i mirënjohur Esat Mehmeti, ka shtruar pyetje, ku na mbeten disa turnetë për legjendat e futbollit, si Riza Lushta, Naim Kryeziu, Favzi Rama e Faton Domi, Burim Hatipi etj.

Me këtë rast ka komentuar edhe Arbon Desku, veprimtar i shquar sportiv në vitet më të rënda (1991-1999), në kohën e gjeneratës së sakrificës, ish drejtor dhe nënkryetar i klubit të futbollit Prishtina, ish kryetar i KF Dukagjinit nga Klina, me të cilën doli kampion i Kosovës në vitin 1993-1994. Po ashtu Desku kontriboi shumë edhe në vitet e pasluftës.

Në vitet më të vështira (vitet e 90-ta), u organizua turneu përkujtimor ‘Rama - Domi’, duke iu falënderuar ideatorit Arbon Desku

Çfarë po ngjan tash e disa vite me klubet me renome si Prishtina, Vëllaznimi, Liria, pjesë e të cilave ka qenë Faton Domi dhe Favzi Rama, që nuk e vazhdojnë turneun për të lartpërmendurit.

Domi ka luajtur për Prishtinën dhe Vëllaznimin, ndërsa Rama për Prishtinën dhe Lirinë. Këto skuadra nuk guxojnë t‘i lënë në harresë këta emra, e as klubi i futbollit Dukagjini nga Klina, ku në territorin e kësaj komune, në fshatin Volljakë (me 22 nëntor 1987) Rama e Domi humbën jetën në një aksident komunikacioni. 

Arbon Desku ka disa fjalë për komentin e Esat Mehmetit.

“Miku im çdo herë me lënë përshtypje postimi i juaj sa herë e lexoj. 

Çdo herë penda juaj shkruan mirë e më mirë. 

Shkrimet e tilla janë të mirëseardhura për ata të cilët kanë nevojë të mësojnë. 

Nuk është turp të mësosh nga tjetri është dobi. Sa i përket turneve memoriale vërtet Kosova e pasluftës ka ngecur shumë, a thua pse vallë? 

Nëpër botë klubet merren me organizim të turneve memoriale duke përkujtuar legjendat e veta të cilët nuk janë në mesin e tyre. 

Klubet e kanë patjetër të domosdoshme të njoftojnë Federatën e Futbollit të Kosovës dhe institucioni duhet të zyrtarizoj turneun në kalendarin e garave. 

Turne të tilla janë shumë të mirëseardhura sepse në radhë të pare përkujtojmë legjendat, nderojmë familjarët e tyre dhe bëhet përafrim i klubeve mes veti. 

Për mos me zgjat shumë në koment ndoshta do të ishte mirë të mbahet një tryezë në këtë temë, shpresoj se këtë vit turneu Rama - Domi do të riaktivizohet dhe ndoshta do te ndikoj për të mire edhe turne tjera memorialë”, ka komentuar Desku.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat