​Milani me tri ndeshje pa fitore në Serie-A, flet Stefano Pioli

Futboll

​Milani me tri ndeshje pa fitore në Serie-A, flet Stefano Pioli

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 18:58
Stefano Pioli

Pas humbjes nga Fiorentina, Milani ka pësuar një tjetër disfatë në Serie-A duke u mposhtur nga Sassuolo në “San Siro” me rezultat 3-1 dhe kjo njëherësh ishte humbja e tyre e parë si vendas.

Duke përfshirë edhe barazimin me Interin, kjo bëhet ndeshje e tretë radhazi që Milani nuk regjistron fitore në Serie-A dhe trajneri Stefano Pioli ka thënë pas ndeshjes se skuadra e tij bëri shumë gabime, përcjellë KosovaPress.

“Na mungonte mprehtësia, sepse bëmë shumë gabime. Kishim aq shumë gjysmë shanse që nuk i shfrytëzuam për shkak të zgjedhjeve të gabuara. Kur morëm epërsinë, nuk e mbajtëm më shumë se tre minuta dhe këto janë momentet vendimtare të ndeshjes. Është e qartë se diçka nuk funksionoi.”, tha fillimisht trajneri kuqezi.

Milani tani ka pranuar shtatë gola në dy ndeshje në Serie A, pasi kishte humbur 4-3 ndaj Fiorentinës javën e kaluar.

“Nuk pashë mungesë përqendrimi apo vendosmërie. Mendoj se mendërisht nuk ishim të mprehtë dhe bëmë zgjedhje të gabuara. Qasja jonë ndaj mbrojtjes kërkon situata ballë për ballë, thjesht humbëm disa prej tyre sot kundër lojtarëve cilësorë si Scamacca dhe Berardi. Nuk ka të bëjë kurrë vetëm me mbrojtjen, ne e dhamë topin shumë lehtë dhe sigurisht që nuk duhet të pranonim golin e tretë.”

“Nuk besoj se ishte një qasje e gabuar, ne thjesht bëmë zgjedhje të këqija. Ne jemi të vetëdijshëm për pikat tona të forta dhe të dobëta, ndaj duhet të vazhdojmë të punojmë. Ne patëm një fillim shumë të fortë të sezonit, më pas në ndeshjet e fundit kemi rënë pak për shkak të situatave të ndryshme, por mund të kthehemi në rrugën e duhur”, tha Pioli në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat