Alimehmeti: Iniciativë që ndihmon në rritjen e sportit shqiptar

Futboll

Alimehmeti: Iniciativë që ndihmon në rritjen e sportit shqiptar

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 11:55
Alimehmeti: Iniciativë që ndihmon në rritjen e sportit shqiptar

Mjekësia sportive është një nga shtyllat kryesore, që po merr zhvillim falë punës së bërë nga Federata e Futbollit, që ka ngritur prej më shumë se një viti një departament të posaçëm, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e mëtejshme të kësaj fushe. Ky departament që udhëhiqet nga Gianluca Stessina, i cili është njëkohësisht edhe doktor i ekipit Kombëtar, po zhvillon prej disa muajsh tashmë një kurs për fizioterapistët e rinj apo edhe ata që janë profesionistë.

Kursi që është i ndarë në disa faza ka pasur në fokus këtë muaj pikërisht temën mbi “Patologjitë e kolonës vertebrale në sport”, kësaj fushe të re që po zhvillohet në Shqipëri, por që në fakt ka shumë deficite, për shkak të mungesës së programeve arsimore. Programi i këtij kursi është ndërtuar nga profesionistë të fushës së mjekësisë në Shqipëri, por edhe nga bashkëpunëtorë të huaj, si dhe janë ndjekur edhe udhëzimet dhe metodat e përgatitura të UEFA-s.

Muaj pas muaji, për tema të ndryshme, FSHF sjell për studentët e këtij kursi profesorë dhe doktorë shqiptarë dhe të huaj, në mënyrë që studentët të zhvillojnë dhe të përfitojnë sa më shumë dije nga ky kurs. Për temën e këtij muaji, përgjigjur ftesës së FSHF-së dhe koordinatorit të këtij departamenti, Ilvi Begolli, ka qenë i pranishëm për të mbajtur leksion një nga neurokirurgët më me emër në Shqipëri, Prof. Assoc.Dr. Ridvan Alimehmeti, i cili në një prononcim për fshf.org vlerëson këtë kurs që i jep mundësinë studentëve për të diskutuar mbi problematikat me të cilat mund të përballen në këtë fushë dhe mundësinë se si të zgjidhen këto për të rritur nivelin e trajtimit.

“E kam pritur me kënaqësi ftesën e Dr.Ilvit për të marrë pjesë në këto grumbullime, jo vetëm thjesht të ish-nxënësve të mi të fizioterapisë, por edhe për faktin që këto komunikime midis punonjësve të shëndetësisë, qoftë edhe në fushën e sportit, janë të domosdoshme, sepse aty arrin të diskutosh problematika që gjithsecili ka hasur në punën dhe ti arrin që t’i gjesh zgjidhje problemeve të cilat nuk mund të arrish t’i zgjidhësh në mënyrë të veçantë.

Në të gjithë botën, qoftë në atë të sportit, qoftë tek ajo mjekësorja në përgjithësi, konferencat dhe kongreset janë vendet ku diskutohen këto problematika dhe marrin fillesë shumë iniciatiava studimore të cilat edhe në ditët e sotme pas leksioneve dolën dhe mendoj që është një iniciativë që bën që edhe niveli i sportit dhe i shërbimit të punonjësve të shëndetësisë për sportin të rritet” – shpjegoi mjeku i njohur.

Sakaq, ai vlerëson edhe nivelin e studentëve të këtij kursi, teksa shpreson që kurse të tilla të vazhdonin, pasi do të sillte sukses në mjekësi.

“Natyra e punës në këto vitet e fundit më ka bërë që të jem edhe pjesë e paneleve ndërkombëtare për trajnimin e të rinjve në kirurgji, por pjesa më e madhe e këtyre pjesëmarrësve janë ish-studentë të mi, por edhe profesionistë fizioterapistë, punonjës shëndetësorë të fushës sportive, të cilët kanë eksperiencë disa vjeçare.

Niveli i tyre është jashtëzakonisht i mirë, por akoma më e rëndësishme është fakti që ato kërkojnë të thellohen dhe të ecin më përpara.

Bëjnë pyetje që dalin ndonjëherë edhe jashtë kontekstit të konferencës, që tregon që ka shumë etje për njohuri dhe kulturë të më gjerë. Do të ishte shumë e udhës që këto kurse të vazhdonin sepse pa dyshim, edukimi në vazhdim është baza e suksesit në mjekësi” – përfundoi fjalën e tij Dr.Alimehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat