Tuchel thumbon Lukakun, ky i fundit i pakënaqur te Chelsea

Futboll

Tuchel thumbon Lukakun, ky i fundit i pakënaqur te Chelsea

Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 11:40
Thomas Tuchel dhe Romelu Lukaku

Trajneri i Chelseat Thomas Tuchel e ka pranuar që është i befasuar nga komentet e panevojshme të Romelu Lukakut, pasi që ky i fundit tregoi që nuk është i kënaqur në “Stamford Bridge” dhe dëshiron që në të ardhmen të rikthehet tek Interi.

Në një intervistë me mediat italiane, e cila ishte përfunduar para tre javësh por ishte publikuar mbrëmë, Lukaku u shpreh i zhgënjyer me sistemin e preferuar të lojës së trajnerit Tuchel, pas një ecurie jo të mirë të formës individuale.

Së fundmi, Lukaku e ka gjetur rrugën drejt golit, ku në dy ndeshjet e fundit të Premier Ligës angleze ka regjistruar dy gola mbi emrin e tij.

Por një kombinim me lëndime, Covid-19 dhe i lënë anash nga Tuchel bënë që transferimi i tij prej 116 milionësh të ishte larg nga sa ishte pritur që të ishte i suksesshëm.

“Fizikisht unë jam mirë. Por nuk jam i lumtur me situatën te Chelsea. Tuchel ka vendosur për të luajtur me një tjetër sistem, nuk do të dorëzohem, do të jem profesionist. Nuk jam i lumtur me situatën por jam një profesionist dhe nuk mund të dorëzohem tani”, tha Lukaku.

“Me të vërtetë, nga thellësia e zemrës sime unë shpresoj që të rikthehem tek Interi, jo në përfundim të karrierës, por sa jam ende në top formë që të fitojë sa më shumë trofe”, shtoi ylli belg.

Këtyre komenteve iu përgjigj trajneri i Chelseat Thomas Tuchel, ku e pranoi që nuk i kanë pëlqyer fjalët e Lukakut, dhe insistoi që këtë intervistë mediat e kanë hiperbolizuar.

“Sigurisht që nuk na pëlqen, sepse sjell spekulime dhe zhurmë që neve nuk na duhet, dhe nuk janë të dobishme. Por në anën tjetër, nuk duam ta hiperbolizojmë më shumë. Nuk e ndjej që është i pakënaqur, në fakt e ndjej të kundërtën. Nëse do më pyesnit dje në mëngjes, do të ju thosha që ai është absolutisht mirë”, tha Tuchel.

“Nëse ka ndonjë gjë për të diskutuar, do ta bëjmë me dyer të mbyllura sigurisht. Por duhet ta pyesni atë jo mua, nuk mund të shtoj asgjë më shumë sepse isha i befasuar”, shtoi trajneri gjerman.

Që prej transferimit nga Interi te skuadra e Chelseat, Romelu Lukaku ka bërë 18 paraqitje në të gjitha garat, duke regjistruar shtatë gola dhe dy asistime mbi emrin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat