Seid Onbashi trajneri dhe koleksionuesi i “Kupave” në futbollin e Kosovës

Futboll

Seid Onbashi trajneri dhe koleksionuesi i “Kupave” në futbollin e Kosovës

Nga: F. Beka Më: 11 maj 2022 Në ora: 18:50
Seid Onbashi

Qyteti i Mitrovicës njihet si qytet i sporti, qytet i kampionëve dhe emrave të njohur në sportet e ndryshme, padyshim qyteti buzë Ibrit njihet jo vetëm për futbollistë, skuadra me nam por edhe për numrin e madh të trajnerëve me emër, që po ndërtojnë me punë karrierë edhe po skalitin emrin e tyre në emrat e suksesshëm të futbollit tonë.

Njëri trajnerëve të shumtë mitrovicas, që ku angazhohet po lë gjurmë dhe po shënon rezultate kulmore, padyshim është edhe Seid Onbashi, dikur futbollisti virtuoz, mesfushori enigmë dhe goleadori i i njohur i skuadrave mitrovicase, i cili pas braktisjes aktive të fushës së futbollit si futbollist, aty ku po angazhohet, po krijon filozofi të veçantë, ekipe kolektive dhe po “mbledh” Kupa në rangje të ndryshme të garave.

Kujtojmë punën e tij si trajner  me gjenerata të reja tek KF Trepça, pastaj krye-trajner i Klubit të Futbollit të femrave dhe shpalljen 4 herë radhazi kampion vendi, paraqitjet impresive të tij me skuadrën e femrave në garat evropiane, ndërsa kohëve të fundit, veç punës intensive me talent të ndryshëm, punon si trajner i U-19 tek KF Trepça ’89 , ku është lider dhe pretendent kryesor për titullin kampion tek juniorët, sikurse edhe ndihmës trajner në përbërjen e sendorëve të KF Trepça ’89 ku së bashku me trajneri Shpëtim Idrizi, Blerim Berisha e Enver Salihu vetëm pas një viti rikthyen skuadrën minatore në elitën e skuadrave më të mira të vendit.  

Puna e palodhur e tij po jep rezultate dhe vargon sukseset, Seidi pothuajse gjithë ditën e kalon në fushën me bar sintetik pranë liqenit akumulues të Ibrit, duke ndërruar futbollistët, që nga talentet e rinj dhe duke ndihmuar edhe kategoritë tjera në shkollën e futbollit të Trepçës ’89, për të vazhduar me juniorët dhe skuadrën kryesore të “minatorëve”.

Ndër rezultatet dhe sukseset me të cilat mburret Onbashi janë ato të arritura me KFF Mitrovica, ku pos titujve kampion dhe kupave të kupës, me vashat mitrovicase pati edhe paraqitje të mira në Ligën e Kampionëve, duke u renditur në mesin e 32 skuadrave më të mira për femra, për çka falënderon shumë futbollistet dhe kryesinë me kryetarin Hajrullah Haxhiu.

“Në vitin 2010 për herë të parë nisa zejen e trajnerit dhe për këto vite, kam fituar shumë tituj me skuadra të ndryshme si me U-17 të KF Lushta, duke i inkuadruar në Superligen e Kosovës, tituj me KFF Mitrovica – femrat, tituj me kategori të reja të Trepçës ’89 dhe tash së fundit daljen kampion dhe rikthimin në elitë me Trepçën ’89 dhe jemi në prag të titullit kampion me U-19 të po Trepçës ’89, shprehet Seid Onbashi.

Nga rezultatet e arritura si trajner janë edhe përballjet në arenën ndërkombëtare me skuadra nga Kroacia – Dinamo e Lokomotiva si dhe Shkendinë e Tetovës me të cilat ka dal fituese , fal angazhimit dhe paraqitjeve shumë të mira të futbollistëve mitrovicas.

“Synim ynë është puna me talentet dhe ofrimi i mundësive që ata të zhvillohen si futbollistë, jo vetëm për tregun dhe skuadrat tona, por edhe nivelin dhe skuadrat evropiane. Në shkollën e futbollit fal kryetarit të klubit Abedin Zeka , si tek U-17 ashtu edhe tek U-19 kemi shumë futbollistë premtues, që shumë shpejtë do bartin barrën edhe në skuadrën e parë” thotë Seidi.

Ai u rikthye në klubin ku kishte luajtur dhe tani punon si ndihmës trajner në skuadrën e sendorëve dhe trajner tek U-19, ku fal punës dhe përkushtimit të futbollistëve tashmë disa javë është lider e Superliges së juniorëve me 4 pikë më shumë se skuadra e Ballkanit dhe është fare pranë kurorëzimit me titullin kampion , që do të jetë i pari për Trepçën ’89 për junior.

Seidi është fjalë pak e punë-shumë, ai është mirënjohës edhe falënderues së pari ndaj Zotit dhe familjes pastaj edhe nga drejtuesit e klubit, për mbështetjen e vazhdueshme që i japin në punën e përditshme me futbollistët, ndërkohë që zotohet për angazhim dhe punë në bartjen e dijes dhe hapjen e shtigjeve gjeneratave të reja në sportin më të popullarizuar.

Duhet potencuar se nën drejtimin e Onbashit, skuadra juniore e Trepçës ’89 po shënon rezultate impresionuese , ku prej 26 ndeshjeve kampionale,  futbollistët e tij kanë shënuar  21 fitore,  1 barazim, 4 humbje,, 77 gola të shënuara – 28 të pësuara, 49 gola diferenca dhe 64 pikë të tubuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat