​Munishi thyen heshtjen, zbulon klubin me të cilin është në bisedime të avancuara dhe planet për sezonin e ri

Futboll

​Munishi thyen heshtjen, zbulon klubin me të cilin është në bisedime të avancuara dhe planet për sezonin e ri

Më: 28 maj 2022 Në ora: 12:24
Ismet Munishi

Njëri nga trajnerët më me përvojë në futbollin kosovar që i ka dhënë shumë këtij sporti derisa ka drejtuar skuadrat më të mira në Superligën e Kosovës, Ismet Munishi ka thyer heshtjen rreth të ardhmes së tij.

Ai nuk pranoi të fliste për mediat që prej kur u shkarkua nga posti i kryetrajnerit të Gjilanit në muajin prill, por tashmë që sezoni ka përfunduar, ai në një intervistë për KosovaPresska zbuluar të ardhmen e tij. 

Munishi ka bërë të ditur se në sezonin e ri do ta shohim në krye të një prej skuadrave kryesore të Superligës, por ka zbuluar gjithashtu se ka oferta edhe nga klube jashtë Kosovës.

Munishi: Kam oferta nga dy klube të Superligës së Kosovës

“Kjo është paraqitja ime e parë pas shkarkimit tim nga Gjilani, është paraqitja ime e parë publike në media. Ka interesim prej klubeve, momentalisht jam duke negociuar me dy klube edhe do të shohim projektin, do të shohim se cili klub do të jetë më i vendosur. Ka pasur interesim edhe nga jashtë mirëpo e vlerësoj se futbolli i Kosovës po ecën përpara dhe vlerësoj që qëndrimi im këtu do të jetë shumë më i arsyeshëm sesa të shkoj në ndonjë skuadër jashtë. Unë duhet akoma të jap kontribut në futbollin e Kosovës sepse futbolli i Kosovës po ecën me hapa të sigurt drejt përparimit, është duke përparuar vit pas viti edhe mendoj që është shumë e rëndësishme edhe për mua po edhe për futbollin e Kosovës që unë të punoj këtu”, tha Munishi.

E derisa zbulon detaje mbi të ardhmen e tij, ish-trajneri i Ballkanit në këtë intervistë ekskluzive zbulon se është në bisedime të avancuara me skuadrën e Prishtinës dhe se me drejtuesit e saj po hartojnë planin e veprimit në sezonin e ri.

Munishi: Jam në kontakte të avancuara me Prishtinën

“Po, nuk është fshehtësi, jam në kontakte edhe me Prishtinën, nuk është asnjë lloj fshehtësie. Jam takuar me krerët e Prishtinës, kemi pasur bisedime joformale se çfarë duhet të bëjmë. Pastaj unë jam djalë i Prishtinës, edhe karrierën e kam filluar aty. Personalisht në këtë moment, nëse shkoj në Prishtinë do të jetë edhe një lloj sakrifice sepse Prishtina meriton një status më të mirë sesa që është aktualisht edhe besoj që përvoja ime, dijenia ime, ai bagazhi të cilin e kam, do t’i ndihmojë shumë Prishtinës që t’i tejkalojë këto kriza”, ka theksuar ish-trajneri i Gjilanit.

Klubi nga kryeqyteti është futur në një krizë të thellë financiare dhe madje kishte rrezikuar edhe rënien në Ligën e Parë, por Munishi tregon planin e tij për ta ringjallur këtë ekip.

Munishi: Me mua Prishtina e kalon më lehtë krizën ku është futur

“Unë jam në bisedime të vazhdueshme edhe me Rrahman Haradinin edhe me Remzi Ejupin, dy njerëz të respektuar që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Prishtinën. Normalisht që Prishtina do të dalë nga kjo krizë, mirëpo duhet ta planifikojmë mirë sezonin, gjithmonë po them nëse arrijmë deri te marrëveshja, por edhe ata janë duke e parë që gjasat më të mëdha janë me mua për të dalë nga kjo situatë edhe unë besoj që do të stabilizohet dhe pavarësisht unë arrita apo nuk arrita marrëveshje Prishtinën, Prishtina do të dalë nga kjo situatë sepse është skuadra më e madhe në vend”, tha Munishi.

Largimi i tij nga Gjilani kishte befasuar të gjithë dhe arsyet prapa atij vendimi kishin mbetur misterioze, andaj duke folur për KosovaPress, Munishi tregon se çfarë ndodhi në realitet.

Munishi: Këto janë arsyet pse u shkarkova nga Gjilani

“Ne e kemi shpallur kandidaturën për titull sepse duke marrë parasysh organizimin e klubit, seriozitetin që ka klubi, pastaj pritja shumë e gjatë e tifozëve për një gjë të tillë edhe nuk kemi mundur assesi që ta ndryshojmë objektivin, të themi do të dalim në Evropë. Unë mendoj që e kemi arritur maksimumin me Gjilanin, nuk kemi mundur të arrijmë më shumë, ndoshta edhe për shkak të rrethanave që kanë qenë. Aventurën te Gjilani e shoh të suksesshme personalisht, ndoshta kemi mundur të bëjmë pak më tepër por, por mendoj që ka qenë e suksesshme dhe mendoj që kemi lënë bazament të mirë aty për vazhdimësi”, tha Munishi.

Në fund Munishi foli edhe për zhvillimet e muajve të fundit brenda Federatës së Futbollit të Kosovës duke thënë se zgjedhjet nuk shkuan në mënyrën e duhur dhe se përplasjet dhe ofendimet ndërmjet palëve të përfshira, nuk i kanë bërë mirë imazhit të futbollit tonë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat