KFF Hajvalia iu përgjigjet akuzave të mitrovicasve: Jemi të pastër, mendojmë veç për fushën e blertë

Futboll

KFF Hajvalia iu përgjigjet akuzave të mitrovicasve: Jemi të pastër, mendojmë veç për fushën e blertë

Më: 15 maj 2023 Në ora: 19:22
KFF Hajvalia

Nga KFF Hajvalia u janë kundërpërgjigjur akuzave të KFF Mitrovicës, nga i cili klub pak orë më herët thanë për “Express” që e kanë denoncuar Hajvalinë në polici, pretendojnë që nga ky klub janë munduar ta “blejnë” një lojtare mitrovicase për t’ua lëshuar lojën.

Klubi i futbollit të femrave Mitrovica do të përballet të mërkurën me klubin e futbollit të femrave Hajvalia në finale të Kupës së Kosovës. Njëherësh, këto janë dy rivalet më të mëdha në futbollin e femrave në Kosovë për momentin.

Këtë të hënë, klubi mitrovicas e lëshoi një komunikatë befasuese, përmes së cilës tha se do të mundohet ta japë më shumë se maksimumin në fushën e blertë pasi përballë do ta ketë një kundërshtar që ndeshjet po mundohet t’i kryejë jashtë fushës së blertë.

Kryetari i KFF Mitrovica, Hajrullah Haxhiu në një rrëfim tregon se rivalja kryesore, Hajvalia, kishte tentuar ta kurdiste ndeshjen kampionale mes tyre, të luajtur dy muaj më parë.

Ai zbuloi se klubi mitrovicas e posedon edhe një audio-incizim, të cilin e ka dërguar në Policinë e Kosovës, që e përfshin klubin kundërshtar, i cili, sipas Haxhiut, tenton ta blejë lojën mes tyre duke e shfrytëzuar së paku një futbolliste mitrovicase.

Por, këto akuza janë hedhur poshtë nga kryetari i klubit të Hajvalisë, Xhavit Pacolli.

Ai ka thënë se nuk kanë të bëjnë asgjë me këto incizime.

“Ne nuk merremi me gjëra të tilla, janë akuza të pabaza. Ne merremi vetëm me fushën e blertë, po mendojmë veç për finalen e Kupës. Ata le të bëjnë akuza sa të duan, por ne nuk kemi të bëjmë me asnjë incizim apo çkado qoftë që e përmendin ata”, ka thënë Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat