Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, është alfa e omega e skuadrës gjermane, Hoffenheim, e cila me ngulm e do kualifikimin në garat e ardhshme të Champions League.
Gjithçka është e hapur, java e fundit do të përcaktojë fatin e tyre.
Dje, Hoffenheim si vendas fitoi me rezultat minimal 1:0 ndaj Werder Bremenit.
Çfarë thotë Asllani për fitoren e djeshme?
“Para së gjithash ishte shumë e rëndësishme që ta fitonim ndeshjen.
Megjithatë, ne duhej të shënonim më shumë gola dhe, në fakt, jemi me fat që nuk pësuam gol.
Po ta kishim realizuar edhe golin e dytë, do të ishim më të qetë dhe nuk do të kishim pasur nevojë të shqetësoheshim deri në fund.
Ndoshta kartoni i kuq i kundërshtarit nuk na nxiti aq shumë sa mund të mendohet.
Të luash kundër një skuadre me një lojtar më pak nuk është aq e lehtë sa duket.
Werder Bremen u mbrojt shumë thellë, ‘parkoi autobusin’, ndërsa ne nuk po arrinim të gjenim hapësirat.
Unë e riktheva shpejt topin në lojë pranë portës dhe kështu përfituam nga momenti kur lojtarët e Bremenit nuk ishin plotësisht të përqendruar.
Ishte shumë e rëndësishme.
Javën tjetër duam ta kryejmë detyrën tonë. Jemi të fokusuar te vetja.
Nëse merresh vazhdimisht me atë që bëjnë të tjerët, shpesh harron detyrën tënde.
Na pret një ndeshje shumë e vështirë si mysafir ndaj Borussia Mönchengladbach.
Pastaj do të shohim se si do të përfundojë gjithçka”, tha Asllani për faqen zyrtare të klubit Hoffenheim.