Vendimi i Florentino Perez për të shpallur zgjedhjet për president dukej më shumë si një lëvizje marketingu e numrit 1 të Real Madrid për të treguar se ka gjithçka nën kontroll edhe pas dy sezonesh radhazi pa asnjë trofe madhor të fituar.
Por fakti se ai ka një rival në garë, ka hedhur në erë planin e tij.
Jo sepse rrezikon postin, pasi në fund parashikohet gjithsesi që Florentino Perez të konfirmohet në detyrë. Por sepse zhvillimi i zgjedhjeve, shtyn emërimin e trajnerit të ri, më saktësisht Zhoze Murinjos.
Palët kanë një akord dhe portugezi pret zbarkimin e tij në Madrid për të vazhduar një aventurë të re te “los blancos”. Por Reali nuk mundi të aktivizonte klauzolën për blerjen e tij brenda datës 26 maj, që ishte afati i fundit, pasi u shfaq një kandidat tjetër për zgjedhjet dhe Perez nuk u shpall automatikisht president.
Nëse e aktivizonte, Murinjo do t’i kushtonte vetëm 7 milionë euro klubit madrilen.
Por tashmë me skadencën e afatit, vlera e saj shkon në 15 milionë euro. Kësisoj, Perez do ta paguajë shumë shtrenjtë vendimin e papritur që mori për të shpallur zgjedhjet, pasi do të duhet të shpenzojë një shifër marramendëse për trajnerin, që pa filluar pagesën e rrogave të tij.