Ndërron jetë Reka, njëri ndër themeluesit e KF Shkëndija nga Tetova

Futboll

Ndërron jetë Reka, njëri ndër themeluesit e KF Shkëndija nga Tetova

Më: 11 gusht 2026 Në ora: 20:15
Ymer Reka

Me pikëllim të madh është pritur lajmi për ndarjen nga jeta, në moshën 77-vjeçarë të profesorit Ymer Rekës, sekretarit të parë të KF Shkëndija 79 dhe një prej figurave të rëndësishme në historinë e themelimit të klubit Tetovar me ngjyrat kuq e zi.

Prof. Ymer Reka, së bashku me një grup të madh intelektualësh dhe aktivistësh të qytetit të Tetovës, ishte ndër njerëzit e parë që u angazhuan për formimin dhe regjistrimin e klubit.

Edhe pse ky aktivitet hasi në rezistencë nga pushteti i atëhershëm, autoriteti dhe përkushtimi i tyre bënë që iniciativa të përfundonte me sukses dhe klubi të regjistrohej.

Edhe gjatë rithemelimit të klubit në vitin 1991, prof. Ymer Reka ishte pjesë e kryesisë, ku dha një kontribut të madh jo vetëm në aspektin organizativ, por edhe financiar nje gjest që nuk duhet të harohet kolaj.

Dyqani i tij, i vendosur mes Pallatit të Kulturës dhe Postës në Tetovë, ishte një prej vendeve ku mblidheshin anëtarët e kryesisë dhe futbollistët e klubit. Aty zhvilloheshin takime dhe biseda të rëndësishme për të ardhmen e Shkëndijës.

Kontributi i prof. Ymer Rekës mbetet pjesë e historisë së Shkëndijës dhe sportit tetovar. Emri dhe puna e tij do të kujtohen me respekt nga të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.

Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve, si dhe në veçanti bashkëlojtarëve dhe pjesëtarëve të gjeneratës së parë të vitit 1979.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat