Martini ngre pikëpyetje të mëdha

Futboll

Martini ngre pikëpyetje të mëdha

Më: 1 shtator 2026 Në ora: 17:34
Martini

Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi Bernardino Ganzalez Vaskez si drejtorin e ri të Departamentit të Arbitrimit.

Një pozicion të cilin e mbante prej vitesh Sokol Jareci. Për këtë të fundit ka shfaqur së fundmi pakënaqësi Edi Martini.

Trajneri i Vllaznisë tregoi se çfarë kishte ndodhur në ndeshjen e fundit në Elbasan. Kështu ngriti pikëpyetje të mëdha për gjyqtarin Dorjan Maletaj dhe ish-drejtorin Sokol Jareci.

“Nuk doja të flas sepse do mendonin për të justifikuar veten po shan arbitrat. Unë dua dy gjëra të përmend. Jam eliminuar në gjysmëfinale të Kupës me Dinamon me një gabim që në rregull, e bën kryesori në fushë, por VAR-i nuk duhet ta bëjë kurrsesi. Në gjysmëfinale të kampionatit prapë me Egnatian, prapë mund të gabojë arbitri në fushë, por VAR-i kurrsesi. Domethënë jam eliminuar në dy gjysmëfinale, për të fituar Kupën apo për të fituar kampionatin.

Nuk jam prononcuar vjet sepse kjo ndeshje e Elbasanit është akumulim i të gjithë kampionatit të vjetshëm. Megjithatë, unë përgëzoj Federatën që ka marrë për të drejtuar arbitrimin një spanjoll. Nuk e di pse Sokol Jareci ishte në Elbasan të them të drejtën. Nuk e di edhe pse iku pas pjesës së parë.

Prapë nuk e di dhe kur nuk i di njeri këto fakte, nuk mundesh të flasësh asgjë. 1-2 ditë para se të fillojë kampionati, kemi pasur leksione me arbitrat e Shkodrës. Kanë ardhur 1 orë e gjysmë dhe janë marrë në mbledhje me lojtarët tonë. Maletaj jep këto gjëra në Elbasan, sikur Elbasani nuk ka asnjë arbitër. Pse ikën Jareci në pjesën e dytë? Janë shumë pikëpyetje. Maletaj na ka mbajtur tre ndeshje, 3 kartonë të kuq na ka dhënë, 2 m’i ka dhënë mua, 1 i ka dhënë Sinanit.

Megjithatë, unë e shoh që Jareci është në gramat e fundit dhe nuk mundet më, shyqyr Zotit sepse nuk e ka dashur Shkodrën. Dhe mua personalisht. Dhe kur del dhe thotë që është miku im, nuk është e vërtetë por vetëm gënjen. Na ka sulmuar qëkur kam qenë futbollist, që prej se ka qenë në drejtim, shyqyr thashë që është larguar nga ai pozicion. Jam pro që të fitojë më i mirë. Fajësoj veten, por kjo ndeshja e Elbasanit ishte akumulim i gjysmëfinales me Dinamon dhe Egnatian.

E fajësoj veten. Mërzitem kur e shoh veten, por janë momente që njeriu nuk e përmban veten. Jam me besimin e plotë, që do shkojë gjithçka mirë. Nëse Maletaj vjen 3 herë dhe me karton të kuq për stafin, është diçka që nuk shkon. Shpresoj të marrë hakun gjithsecila skuadër. Shpresoj të fitojë më i miri, nuk dua të hy në aludime, por jam i sigurt se do bëhet më mirë me spanjollin që ka ardhur në krye të arbitrimit”, u shpreh Martini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat