Futbolli anglez po përballet me një fenomen gjithnjë e më të diskutuar: tifozët që kanë ndjekur klubet e tyre për dekada po ndihen gjithnjë e më pak të rëndësishëm, ndërsa stadiumet po shihen edhe si destinacione për turistë dhe tifozë që blejnë bileta vetëm për një ndeshje.
Tifozët e dedikuar të klubit shpeshherë blejnë bileta sezonale që zgjasin për të gjithë kampionatin, një traditë e vjetër e popullit anglez dhe admiruesit të futbollit.
Një shembull i qartë është Manchester United. Këtë verë, klubi anuloi 685 abonime sezonale, pasi një hetim gjeti prova se ato ishin rishitur në tregun sekondar.
Sipas The Guardian, United argumentoi se rishitja e paautorizuar dëmton qasjen e drejtë të tifozëve të rregullt.
Por problemi është më i gjerë. The Guardian raporton se Arsenal ka pezulluar rreth 74 mijë llogari tifozësh që nga nisja e një fushate kundër keqpërdorimit të biletave në vitin 2024. Në të njëjtën kohë, 14 nga 20 klubet e Premierligës kanë rritur çmimet e abonimeve sezonale.
Këtu lind edhe dilema interesante. Nga njëra anë, abonuesit sezonalë janë baza tradicionale e atmosferës në stadium.
Ata njohin këngët, ritualet dhe mënyrën se si funksionon gjithçka në ditën e ndeshjes. Nga ana tjetër, klubet kanë interesa të mëdha financiare dhe një tifoz që vjen vetëm një herë mund të shpenzojë më shumë për biletën, ushqimin dhe produktet e klubit.
Sipas të dhënave, profesori i ekonomisë sportive Dominik Schreyer thekson se në Premierligë kërkesa për bileta është shumë më e madhe se numri i ulëseve.
Abonuesit zakonisht paguajnë më pak, mund të mungojnë në disa ndeshje dhe, sipas kësaj analize, shpenzojnë më pak në stadium.
Por ekziston edhe ana tjetër: pikërisht këta tifozë krijojnë atmosferën që e bën një ndeshje të Premierligës një produkt tërheqës edhe për miliona njerëz që e ndjekin nga jashtë.
“Ata krijojnë atmosferën”, shpjegon Schreyer, në komentet e publikuara nga The Guardian, duke theksuar se këngët, ritualet dhe traditat janë pjesë e asaj që turistët duan të përjetojnë.
Sipas shifrave nga gazeta angleze, abonimet sezonale përbëjnë mesatarisht rreth 75% të biletave në një ndeshje të Premierligës.
Kjo e bën edhe më të ndërlikuar pyetjen: si mund klubet të fitojnë më shumë nga turistët dhe tifozët e rinj, pa humbur ata që e kanë mbajtur gjallë atmosferën e stadiumeve për dekada?
Në fund, debati nuk është vetëm për një biletë futbolli.
Është për ndryshimin e vetë marrëdhënies mes klubit dhe tifozit, në një kohë kur futbolli po bëhet gjithnjë e më shumë një industri globale.