Kombëtarja shqiptare nis sonte një kapitull të ri në Ligën e Kombeve. Përballë Bjellorusisë, në stadiumin “Air Albania”, kuqezinjtë kërkojnë jo vetëm tri pikët, por edhe një fillim pozitiv nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran.
Ndeshja fillon në orën 20:45 dhe përfaqëson sfidën e parë zyrtare të Maranit në krye të Shqipërisë. Pas rezultateve zhgënjyese të muajve të fundit, kombëtarja synon të rikthejë besimin dhe të nisë me fitore garën për vendin e parë në grup.
Trajneri italian përballet me disa vështirësi në përzgjedhjen e formacionit. Dëmtimet e kanë detyruar stafin teknik të shqyrtojë alternativa, ndërsa mungesa e Qazim Laçit kufizon mundësitë në mesfushë.
Lajm pozitiv është rikthimi i Kristjan Asllanit, për të cilin Maran ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm. Në repartin ofensiv, Ernest Muçi pritet të ketë një rol të rëndësishëm në krijimin e rasteve.
Kapiteni Berat Gjimshiti ka pranuar se objektivi për vendin e parë në grup sjell presion. Shqipëria konkurron me Bjellorusinë, Finlandën dhe San Marinon, ndërsa fituesi i grupit siguron ngjitjen automatike në Ligën B.
Megjithatë, kundërshtari nuk duhet nënvlerësuar. Bjellorusia vjen në këtë takim pas gjashtë ndeshjeve pa humbje, me tri fitore dhe tri barazime. Kuqezinjtë, ndërkohë, kanë regjistruar pesë humbje radhazi.
Takimi i sotëm është edhe një mundësi për të parë ndryshimet taktike që Maran synon të sjellë. Për trajnerin e ri, rezultati do të ketë rëndësi, por po aq vëmendje do të marrë edhe mënyra se si skuadra do të reagojë në fushë.
Pas kësaj përballjeje, Shqipëria do të udhëtojë drejt San Marinos, ku më 29 shtator do të zhvillojë ndeshjen e dytë të grupit./Bota sot