Zgjodhi Italinë në vend të vendit ku u rrit! Tani duhet të paguajë 100 mijë euro
Alessandro Romano (20), mesfushori i Cagliarit, këtë muaj vendosi të luajë për Italinë në vend të Zvicrës, vendit ku ka lindur dhe ku ka kaluar të gjitha grupmoshat e kombëtareve.
Vendimi i tij shkaktoi shumë reagime në Zvicër dhe mund t’i kushtojë rreth 100 mijë euro.
Romano ka lindur në Winterthur, në një familje me origjinë italiane.
Për grupmoshat e Zvicrës ka luajtur 34 ndeshje, madje në disa prej tyre ka qenë edhe kapiten. Në fillim të shtatorit, FIFA miratoi kërkesën e tij për ndryshimin e kombësisë sportive.
Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, e ftoi menjëherë në kombëtare dhe Romano tashmë ka bërë dy paraqitjet e para për Italinë gjatë grumbullimit aktual. Largimi i tij i ka zhgënjyer veçanërisht zviceranët, të cilët prej vitesh e konsideronin një nga talentet më të mëdha të gjeneratës së tij.
Romano ishte pjesë e Footuro, një program i veçantë i Federatës Zvicerane të Futbollit për talentet më të mëdha. Programi u siguron lojtarëve trajner individual, stërvitje shtesë, testime dhe planifikim të detajuar të zhvillimit të karrierës.
“Federata zvicerane investon rreth 25 mijë franga në vit për një lojtar të tillë. Duke qenë se Romano, pas disa vitesh investimesh, vendosi të përfaqësojë një shtet tjetër, zviceranët mund t’i kërkojnë kthimin e parave të investuara. Vlerësohet se bëhet fjalë për 100–150 mijë franga, ose rreth 100 mijë euro.
Këto para nuk pritet t’i paguajë Federata Italiane e Futbollit, por vetë lojtari. Zviceranët kanë pasur një rast të ngjashëm edhe me Albian Hajdarin, pasi ai vendosi të luante për Kosovën”, ka shkruar media kroate “Index”.
Për vendimin e Romanos ka folur edhe Alex Frei, trajneri i kombëtares zvicerane U-21 dhe ish-kapiteni i kombëtares A. Ai thotë se e kupton pse mesfushori i ri zgjodhi Italinë, por e ka paralajmëruar edhe për rrezikun që sjell një vendim i tillë.
“Për të është bërë shumë, por si fëmijë ndoshta nuk flinte me fanellën e Zvicrës, por me fanellën e Italisë”, tha Frei për “RSI”.
“Romano duhet të jetë i vetëdijshëm për pasojat. Për Italinë mund të luajë një ndeshje dhe pastaj të mos ftohet për pesë vjet. Për Zvicrën ndoshta do të luante 20 ndeshje radhazi”, shtoi ai.
Megjithatë, Frei nuk mendon se largimi i Romanos është një humbje për federatën zvicerane.
Ai kujtoi se Italia ka një kulturë futbolli që mund ta tërheqë një lojtar me origjinë italiane.
“Jam i zhgënjyer? Po. A e kuptoj? Po, pjesërisht. Italia ka katër yje në fanellë, ndërsa ne asnjë.
Nëse ai ka mundësi ta përjetojë këtë, mund t’i them vetëm: provoje.”.