Prishtina është ndalur në barazim (0:0) nga Dukagjini pas gjashtë fitoreve radhazi në elitën e futbollit të Kosovës.
Përballja ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit të Klinës u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, ku të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje të mirë nën dritat e reflektorëve.
Kryeqytetasit u përpoqën deri në fund për të marrë fitoren e radhës, por nuk arritën ta thyenin rezistencën e mysafirëve nga Klina.
Kështu, Dukagjini bëhet skuadra e parë që i merr pikë Prishtinës në këtë edicion të kampionatit, duke ndërprerë serinë prej gjashtë fitoreve radhazi të bardhekaltërve.
Pas përfundimit të javës së tetë, Prishtina vazhdon të kryesojë tabelën me 19 pikë, aq sa ka edhe Malisheva, ndërsa Dukagjini renditet në vendin e tretë me 13 pikë.
Prishtina ka një ndeshje më pak.