Kvaratskhelia i mërzitur pas lëndimit të rëndë

Futboll

Kvaratskhelia i mërzitur pas lëndimit të rëndë

Më: 21 tetor 2026 Në ora: 15:16
Khvicha Kvaratskhelia

Khvicha Kvaratskhelia po kalon një nga momentet më të vështira të karrierës së tij, pasi e ka pësuar një lëndim të rëndë në gjurin e djathtë gjatë ndeshjes së Paris Saint-Germainit kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi gjeorgjian pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior dhe do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në ditët në vijim, ka konfirmuar klubi parisien.

Ky dëmtim pritet ta mbajë jashtë fushave për disa muaj.

Lëndimi ndodhi gjatë fitores 4-2 të PSG-së ndaj Barcelonës, kur Kvaratskhelia u detyrua të largohej nga loja, duke mos mundur ta mbështeste këmbën e djathtë në tokë.

Ai ishte mjaft emocional me deklaratat e tij pas lëndimit. “Isha gati për gjithçka, por jo për këtë. Para çdo ndeshjeje, thjesht e lus Zotin që të kthehem në shtëpi i shendetshëm.

Një gjë më bjen në mend: Pse bash mua? Pse unë o Zot? Sidoqoftë, e kuptoj se Zoti më ka zgjedhur mua.

Nëse duhej të më ndodhte mua, i ka shpëtuar të tjerët që ishin në fushë. Tash jam i gatshëm ta duroj dhimbjen, të punoj fort, të vuaj dhe të derdh lot. E di se më duhet të kthehem më i fortë për të dashurit e mi, të cilët gjithmonë janë në anën time. Do ta bëj më të mirën, të jeni të sigurtë. Faleminderit për mbështetjen”, shkroi Kvara.

Mungesa e Kvaratskhelias është një lajm shumë i keq për trajnerin Luis Enrique, pasi gjeorgjiani ishte ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës në sukseset e fundit evropiane.

Situata bëhet edhe më e vështirë për kampionët e Evropës, pasi në të njëjtën ndeshje u lënduan edhe Ousmane Dembélé dhe Marquinhos.

Të dy futbollistët kanë probleme në kofshë dhe do të qëndrojnë nën trajtim gjatë javëve të ardhshme.

Kvaratskhelia ka pasur rol të rëndësishëm në sukseset e fundit të PSG-së dhe mungesa e tij për një periudhë të gjatë përbën një goditje të madhe për ambiciet e klubit në garat vendore dhe në Ligën e Kampionëve.

Pas fitores së rëndësishme ndaj Barcelonës, skuadra e Luis Enriques duhet të përballet tashmë me një situatë të vështirë, pasi humb për disa muaj një prej futbollistëve të saj më cilësorë.

Për Kvaratskhelian, sfida e radhës do të jetë rikuperimi nga operacioni dhe rikthimi në fushë, ndërsa PSG-ja duhet të gjejë zgjidhje për ta përballuar mungesën e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat